Kosova ndër vendet më të pazhvilluara të botës
Prishtinë, 5 mars - Duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit ekonomik mund të konstatohet se Kosova hynë në radhën e vendeve më të pa zhvilluara në rajon. Në këtë drejtim bënë pjesë në vendet më të pazhvilluara të botës, tha njohësi i ekonomisë Musa Limani për “SyriKosova”.
Ai shton se për fat të keq trendet ekonomike në Kosovë pas lirimit, por edhe pas pavarësisë nuk ishin pozitive, kishte rënie çka do të thotë se ka munguar një politike konsekuente ekonomike. Në mungesë të një politike objektive të zbatuar ekonomike dhe mungesa e strategjisë të zhvillimit afat gjatë ka ardhur deri tek një situatë shumë e rëndë ekonomike.
Këshilltari i kryeministrit, tha se tash duke pasur parasysh treguesit kryesor të cilët shprehin nivelin e zhvillueshmërisë, përkatësisht mos zhvillimit, ku mund të konstatohet se ekonomia e vendit është para një kolapsi të përgjithshëm dhe popullata gjendet në një situatë shumë të rëndë sociale.
Eksperti i ekonomisë për të argumentuar këto konstatime i përmend disa nga treguesit global makro ekonomik.
“Duke nisur nga çlirimi dhe po ashtu edhe pas pavarësisë deficiti i bilancit tregtar i jashtëm është për herë në rritje dhe tash kalon mbi 2 miliardë. Mandej norma e punësimit është më e ulëta në rajon , kurse ajo e papunësisë është më e larta në rajon”, tha Limani.
Është formuar një strukturë jo e volitshme ekonomike dhe tash nga një vend industrial që kemi qenë para luftës, tash jemi shndërruar në një shtet agronom industrial, ku dominon bujqësia me lëmit tjera primare në formimin e Bruto Produktit vendor.
“Sa i përket tregtisë së jashtme këtu shumë çalojmë pikërisht për shkak se kemi një nivel shumë të ulët të zhvillimit ekonomik, ku Kosova faktikisht është shndërruar në një treg konsumues për arsye se mbi 80 për qind të të mirave materiale që janë të nevojshme për konsum ne i importojmë”, tha Limani.
Ai shton se eksporte thuajse nuk kemi apo ka një vlerë shumë të ulët dhe struktura e saj është shumë e pavolitshme, për arsye se ne kryesisht eksportojmë produkte primare lëndë të parë e gjysmë fabrikat e të tjera.
Sipas tij proporcioni ndërmjet importit e eksportit është jashtëzakonisht i madh dhe me eksport mbulohet vetëm 10-12 për qind.
“Në Kosovë është shumë prezentë edhe ekonomia informale dhe sipas ekspertëve mendohet se ajo është 30-40 për qind të BPV-së dhe kjo normalisht që e dëmton shumë ekonominë e vendit, sepse çrregullon tregun e brendshëm, dëmton shtetin, sepse i ikin taksave e ngarkesave shtetërore dhe dëmton të hyrat buxhetore”, tha këshilltari i kryeministrit.
Eksperti i ekonomisë, shtoi se problem në vete paraqitet edhe çështja e nepotizmit apo punësimit familjarë dhe mbi të gjitha është korrupsioni i cili paraqet një element që ndikon shumë negativisht jo vetëm brenda vendit, por edhe në sjelljen e investimeve të huaja dhe të diasporës.
Të gjitha këto paraqesin shqetësim që shprehen në disfavor të zhvillimit më të hovshëm ekonomik.
Musa Limani, shton se në mungesë të një politike konsekuente ekonomike, instrumentet dhe masat e politikës fiskale, kreditore dhe tregtisë së jashtme për fat të keq nuk janë sa duhet në funksion të zhvillimit ekonomik.
Sipas tij ka shumë instrumente të cilat deri tash nuk janë rregulluar dhe ishin negative në afarizëm që do të thotë se nuk është zbatuar një politik adekuate.
“Për fat të keq zhvillimi ekonomik është bërë add hock, pa vizion, pa një strategji të zhvillimit edhe pse qeveritë e kaluara janë munduar të bëjnë këtë nuk e kanë arritur të realizojnë dhe kanë dështuar”, tha Limani.
Ai shton se qeveria aktuale sikur ka nisur të marr masa dhe të bëjë një politikë adekuate ekonomike që trendët negative ti shndërroj në ato pozitive dhe hapat e parë që janë bërë, është se kryeministri këtë vit e ka shpallur vit të ekonomisë. Konkretisht janë marrë masa në reformën e politikës fiskale për lëndën e parë, pajisjet për prodhim e shumë gjëra tjera të cilat japin shpresa se do të bëhet një riorientim pozitiv në politikat zhvillimore.
“Si ekonomistë mendoj, se edhe kjo qasje e tashme e kësaj qeverie nuk është adekuate, për arsye se duhet bërë reforma e qasje komplekse ekonomike, të cilat nuk mund të bëhen pa një strategji zhvillimore afat gjate”, tha Musa Limani.
Sipas tij prioritet i kësaj qeverie duhet të jetë hartimi i strategjisë zhvillimore afat gjate, nga të cilat më pas bëhen edhe ato afat mesme e ato rrjedhëse.
Këshilltari i kreut të qeverisë Musa Limani, tha se nëse u qasemi vetëm problemeve aktuale, atëherë po ashtu do të jetë një qasje jo reale në zhvillimin ekonomik në periudhën e ardhshme.
/Syri Kosova - B.T/