15 Janar 2025

Kosova mund që të përfitojë nga BERZH-i

Prishtinë, 20 nëntor - Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), është mundësi e mirë që vendi të përfitojë nga ky institucion financiar kredi që do të mund të shfrytëzohen për projekte të ndryshme zhvillimore.

Njohësit e zhvillime ekonomike në vend, kanë deklaruar për gazetën se Kosova mund që të përfitojë nga BERZH-i projekte energjetike, të bujqësisë, për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme dhe projekte të tjera.

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Gazmend Qorraj, ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), është një lajm i mirë, pasi anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare ka ndikim edhe në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik.

“Dihet fakti së Kosovës sot i nevojiten të dy këto komponentë, pasi në aspektin politikë ka nevojë për njohje të reja, ndërsa në aspektin ekonomik ka nevojë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe kreditim afatgjatë”, ka thënë ai.

Prof. Qorraj është shprehur se BERZH-i ofron mundësi financimi në sektorë të ndryshëm si: për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, projektet e energjetikës, bujqësisë, si dhe financime në projekte të tjera që janë e rëndësi për Kosovën dhe rajonin.

Kurse sa i përket mundësisë që Kosova dhe vendet e tjera të aplikojnë në projekte të përbashkëta që janë të rëndësishëm për zhvillimin e Ballkanit, profesori Qorraj, është shprehur se Kosova mund të krijojë partneritet edhe me vendet e tjera të rajonit në projekte të përbashkëta.

“Mendoj se ne si Kosovë për momentin duhet vepruar me kujdes për shkak të rrethanave vështirësive buxhetore, ky ishte edhe rekomandim i Bankës Botërore, mandej aspekti tjetër është që BERZH i kërkon edhe disa parakushte tjera për kreditim”, ka thënë ai.

Duke shtuar se kofinancimi, i cili nganjëherë mund të jetë problematik, sepse nëse kërkojmë kredi në shuma të mëdha financiarë, atëherë edhe vlerat e bashkëfinancuara do të jenë të mëdha dhe këto mund të jenë barrë për Kosovën ose ndërmarrësit në Kosovë.

Edhe profesori i ekonomisë, Musa Limani, ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), është një mundësi e mirë për Republikën e Kosovës, pasi BERZH-i ka kapital shumë të madh.

“Qeveria e Kosovës duhet që të përgatitet me projekte dhe programe interesante që janë në interes të zhvillimit, pasi kjo bankë njihet për rindërtim dhe zhvillim”, ka pohuar ai.

Sipas tij, edhe mundësitë për të përfituar nga BERZH-i, Qeveria e Kosovës, duhet që t’i shfrytëzojë edhe për infrastrukturën rrugore, pasi kjo bankë ofron kredi shumë të buta dhe të leverdishme.

“Do të ishte e mirë sikur Qeveria e Kosovës, të konkurrojë në projekte që e rrisin prodhimin, pasi ne nuk kem prodhim dhe ky është nj problem, pra duhet që ta kthejmë importin në eksport, vetëm prodhimi e rritë eksportin”, ka thënë ai.

Kosova do të bëhet anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) më 17 dhjetor të këtij viti dhe do të jetë anëtarja e 66-të, prej të cilëve 29 ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.

Selia kryesore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është në Londër. BERZH-i është themeluar në vitin 1991.

BERZH sipas strategjisë më shumë përkrah projekte në bujqësi, energji efiçiente, në prodhimtari, në ambient dhe infrastrukturën komunale, turizmin, transport etj.(Epoka e re) 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)