Kosova merr pjesë në Kongresin Vjetor Kundër Varfërisë
Bruksel, 27 nëntor - Një delegacion nga Republika e Kosovës, i kryesuar nga zv/ministri i MPMS-së, Fatmir Shurdhaj, në përbërje të të cilit delegacion janë edhe deputeti i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, Liburn Aliu, këshilltari politik i MPMS-së, Viktor Mehana dhe ambasadorja e Kosovës në Bruksel, znj. Mimoza Ahmetaj, po merr pjesë në Kongresin Vjetor Kundër Varfërisë dhe Përjashtimit Social, që po mbahet në Bruksel nga 26 deri më 27 nëntor nën patronatin e Komisionit Evropian.
Pjesëmarrës dhe panelit, në mesin e shumë pjesëmarrëseve nga vende të ndryshme të Evropës janë edhe Hose Manuel Barroso, president i Komisionit Evropian dhe Herman Van Rompoy president i Këshillit Evropian.
Pika diskutimi të këtij kongresi janë problemet e varfërisë me të cilat ballafaqohen vendet nacionale por edhe ato që kane synim integrimin në Bashkimin Evropian.
Është biseduar edhe për implementimin e politikave sociale për të zbutur varfërinë, nevoja për plotësimin e strategjisë Evropa 2020 duke vënë në pah nevojat dhe interesat e vendeve nacionale për investime të reja në njerëz dhe ekonomi si rrugë e vetme drejt zbutjes së varfërisë dhe përfshirjes sociale.
Gjatë kongresit delegacioni nga Kosova kanë zhvilluar takime me shume përfaqësues nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, por edhe me homologët e tyre nga ministritë e punës dhe parlamentet nacionale.