17 Nëntor 2024

Kosova, me TVSH-në më të lartë në rajon

Prishtinë, 23 mars -  Propozimi i Qeverisë së Kosovës për përshkallëzimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është vlerësuar nga ana e ekspertëve të ekonomisë hap i duhur dhe si zënie e trenit të fundit për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

 Sipas tyre, Kosova duhet ta ndjekë shembullin e rajonit për përshkallëzimin e TVSH-së për produktet elementare të shportës së konsumatorëve. Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se TVSH-ja është tatim që reflekton te konsumatorët dhe, sipas tij, për këtë arsye efektet kryesore i vërejnë konsumatorët.

“Sipas propozimit të Qeverisë, pritet që, për shkak të uljes së TVSH-se, të bien çmimet edhe për disa artikuj të rëndësishëm, me ndikim në shportën e konsumatorit, përkatësisht në koston e jetesës, por edhe të energjisë elektrike, apo të shërbimeve të tjera publike”, është shprehur Rexhepi. Sipas tij, në të njëjtën kohë pritet edhe shtrenjtimi i një sërë artikujsh, që kryesisht s’kanë ndikim në shportë si: cigaret, alkooli dhe karburantet. \\\\

“Në një formë, ulja e TVSH-se për disa artikuj ka ndikim indirekt edhe te bizneset. Së pari ato do të paguajnë më pak TVSH me rastin e importimit të këtyre produkteve. Njëkohësisht, pritet që këto ndryshime të ndikojnë në rritjen e qarkullimit të mallrave, përkatësisht të shitjeve, çfarë nënkupton edhe të fitimeve që do të ketë biznesi”, ka deklaruar Rexhepi.

Ndërsa njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lulzim Beqqiri, e ka vlerësuar të domosdoshme dhe për t’u përshëndetur propozimi i Qeverisë për përshkallëzimin e TVSH-së. Sipas tij, Qeveria e Kosovës siç duket e ka kapur trenin e fundit për përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Ai ka thënë se heqja e TVSH-së për shportën ushqimore do të siguronte një mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës. “Kosova është i vetmi vende në rajon dhe më gjerë, ku për shportën ushqimore konsumatorët paguajnë TVSH-në 16 për qind për produktet elementare si buka, uji, vaji, sheqeri dhe kripa”, është shprehur Beqiri.

Sipas tij, në secilin vend të rajonit TVSH-ja është në shkallë më të lartë se në Kosovë, por shkalla tatimore për shportën e konsumatorëve ka lehtësime të mëdha. “Gjermania normën tatimore e ka 19 për qind, ndërsa tatimi për shportën e konsumatorit është 7 për qind. Kroacia normën tatimore e ka 20 për qind, kurse norma e tatimit për produktet elementare është 5 për qind. Serbia normën tatimore e ka 20 për qind, por i ka kushtuar kujdes të veçantë shportës jetësore, duke reduktuar tatimin në 8 për qind”, ka thënë ai. Sipas Beqirit, Kosova ka modele të mira, të cilat duhen ndjekur rreth përshkallëzimit të TVSH-së për produktet jetësore.

“Përveç produkteve elementare jetësore siç janë: buka, uji, vaji dhe sheqeri, edhe mishi është produkt i domosdoshëm, për të cilin duhet të ulet norma tatimore. Pastaj kjo normë duhet të ulet edhe te lëndët e para për produktet bujqësore dhe makineritë e ndryshme pasi, siç dihet, Kosova ka territor të përshtatshëm për bujqësi dhe mund të kontribuojë në uljen e papunësisë dhe zhvillimit të shtetit”, ka thënë njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri.

Në anën tjetër, kryetari i Organizatës “Konsumatori, Selatin Kacaniku, ka thënë se propozimi i Qeverisë për përshkallëzimin e TVSH-së është i mirëpritur por, sipas tij, do të ishte më mirë sikur të merret në konsideratë edhe mendimi i konsumatorit.
Kaçaniku ka thënë se jo të gjitha llojet e bukës dhe qumështit duhet të përshkallëzohen.

“Përshkallëzimi i TVSH-së duhet të bëhet te buka, pjekurinat, qumështi dhe vaji, që konsumohen nga masa e gjerë e popullsisë, e jo tek llojet e njëjta të produkteve që kanë çmime më të lartë dhe përdoren si luks”, është shprehur Kaçaniku, përderisa ka rekomanduar që dhe artikujt e tjerë, që nuk janë ushqimore e që i shërbejnë masës së varfër, duhet të hyjnë në përshkallëzim të TVSH-së, siç janë produktet e higjienës.

“Buxheti i Kosovës mund të jetë mbi 5 miliardë euro. Ka tre vjet që ne po i ofrohemi Qeverisë t’i ndihmojmë për trefishimin e buxhetit. Ne kemi bërë ofertë te të gjitha institucionet e shtetit, që të ulemi dhe të bisedojmë për të drejtat e konsumatorëve, por askush s’ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur dhe biseduar rreth kësaj çështje. Ne si OJQ kemi frikë se bizneset boshllëkun që mund të krijohet nga tatimi i përshkallëzuar do ta përmbushin me qëllime personale. Kjo është arsyeja pse Qeveria duhet të kërkojë që të bisedojë me ne.

U kemi dërguar selame nëpërmjet mediumeve dhe postës elektronike por, siç duket, përfaqësuesit e shtetit ose janë memecë, nuk shohin apo ende nuk e kanë marrë ofertën tonë seriozisht. Edhe asociacionet e biznesit kurrë s’e kanë marrë mundin ta vetëdijesojnë ndonjë anëtar për respektimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit”, është shprehur Kaçaniku. (Albulena S.MAVRAJ)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)