Kosova me të ardhme të zymtë ngase i është shkatërruar edukimi, shëndetësia dhe ekonomia.
Prishtinë, 24 qershor - Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, njohësi i ekonomisë, ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka akuzuar rëndë krerët e shtetit, të cilët i ka fajësuar për gjendjen e rënd në të cilët është Kosova.
Gërxhaliu thotë se, Kosova e ka një të ardhme të zymtë ngase i është shkatërruar edukimi, shëndetësia dhe ekonomia.
Sipas tij, në Kosovë është gjendje alarmante sa i përket zhvillimit ekonomik, por më mirë nuk jemi as në aspektin e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit.
Ai ka folur edhe për mërgimtarët të cilët në vit dërgojnë rreth 2 miliard euro në Kosovë.
“Dhe sot është turpi më i madh të thuhet se shqiptarët kudo në botë dërgojnë 600-700 milionë euro, ndërsa e vërteta është se diaspora shqiptare kudo në botë e mbështet aspektin social në Kosovë me minimum 1.8 deri në 2 miliardë euro, dhe kjo është garancia e mbijetimit të shtetit në aspektin social, kjo është ajo që e mbanë popullatën, sepse sa për buxhetin që kalon në Parlament situata kishte me qenë një situatë mizore dhe e tëra kjo është duke reflektuar në atë masë sa që shqiptarët që nuk ballafaqohen vetëm me shtresë, por sëmundja më e rrezikshme që e ka kapluar Kosovën është ankthi, çka nesër, ku nesër dhe si nesër?”, thotë Gërxhaliu.
Ai ka folur edhe për taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe.
“Ndërsa, vendimi për taksën është vërtet vendimi më i gabuar që është marr në Kosovën e pasluftës, sot Kosova është në një situatë ku vërtetë Serbisë i ka bë favorin më të madh nga fakti se shumë miq dhe sponsor të pavarësisë së Kosovës, janë kundër një mase të tillë, shumë miq janë ata që apelojnë qoftë për suspendim, qoftë për pezullim, qoftë hiqje dhe në këtë drejtim kam dro dhe i kam paralajmërua se Kosova do ta përjetoj edhe me rastin e taksës situatën e demarkacionit, kur u humben tri vite dhe në fund u vendos e njëjta që u sulmua”, thotë tutje Gërxhaliu.
Gërxhaliu ka bërë edhe një paralele mes vitit 1999 dhe 2019, ku thotë se, vjen në shprehje mjerimi intelektual ose vdekja e intelektualitetit në Kosovë.
“Derisa në vitit 1999 Kosova është paraqit qoftë në skenën ndërkombëtare në Amerikë, në Evropë kudo me një elitë intelektualësh duke filluar nga një akademik, i cili ka qenë një kokë Idriz Ajeti, Fehmi Agani, Pajazit Nushi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova dhe kalibrat e tjerë të skenës politike, ndërsa paramendoni tash në vitit 2019 Kosova paraqitet me një Ramush, me një Hashim dhe me një Behgjet”, ka theksuar Gërxhaliu ndër tjera në intervistën dhënë gazetës “Bota sot”.