Kosova me stabilitet në sektori bankar
Prishtinë, 15 dhjetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), të hënën për me rastin e 15 vjetorit të themelimit të saj ka organizuar një konferencë në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve të larta vendore, si dhe udhëheqësit e institucioneve financiare të vendit.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Bedri Hamza, ka deklaruar se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, fillimisht e njohur si Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës dhe pastaj si Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës, u themelua 15 vite më parë, në kohën kur zhvillimi institucional i Kosovës vetëm sa kishte filluar, përderisa situata e pasluftës paraqiste kërkesa të mëdha.
Aktiviteti ekonomik në Kosovë ka vazhduar të rritet edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2014 dhe treguesit kryesor makroekonomik kanë vazhduar të jenë të qëndrueshëm. Norma reale e rritjes ekonomike në Kosovë për vitin 2014, sipas tij, pritet të jetë 3.0%, që vazhdon të mbajë Kosovën ndër vendet me normën më të lartë të rritjes ekonomike, ka theksuar Hamza.
Sipas tij aktiviteti ndërmjetësues financiar i sektorit bankar gjatë gjysmës së parë të vitit 2014 u karakterizua me rënie të theksuar të normës së interesit në depozita, e cila u shoqërua me rënie më të lehtë në normën e interesit në kredi. Zgjerimi i vazhdueshëm i kreditimit nga sektori bankar, vazhdon të mbështetet në bazën e qëndrueshme të depozitave të mbledhura brenda vendit të cilat vazhdojnë të rriten, ka theksuar ai.
Kurse Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se gjatë gjithë kësaj periudhe, Banka Qendrore e Kosovës ka përmbushur me përkushtim funksionet e saj, në veçanti përmes rregullimit dhe mbikëqyrjes së sektorit bankar për të siguruar pajtueshmërinë me rregullat e menaxhimit të shëndoshë dhe për të garantuar stabilitetin e sistemit tonë financiar.
Puna e mirë në rregullimin dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të sektorit bankar, ka bërë që ne sot, përkundër faktit se bota është trandur nga një krizë e fuqishme ekonomike dhe financiare, të kemi një sektor bankar të shëndoshë, me banka të kapitalizuara mirë përmes depozitave vendore, duke e bërë ekonominë tonë më të pavarur nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, ka theksuar ajo.
Sipas saj mbikëqyrja profesionale e sektorit bankar dhe përshtatja e vazhdueshme e legjislacionit në linjë me kërkesat dhe nevojat e tregut, ka ndikuar dukshëm edhe në zvogëlimin e rrezikut moral.
Banka Qendrore e Kosovës mbetet prandaj njëra ndër shtyllat kryesore institucionale të ekonomisë, shtyllë e sistemit financiar dhe mbrojtëse e stabilitetit financiar e makroekonomik të vendit, ka theksuar ajo.
Ndërsa , Kryetari i Bordit të BQK-së Bedri Peci. ka deklaruar se pesëmbëdhjetë vite përbëjnë një periudhë relativisht të shkurtër kohore për BQK-në, ky hark kohor dëshmon vënien e themeleve të shëndosha mbi të cilat do të ndërtohej dhe zhvillohej i gjithë sistemi financiar i vendit.
Puna dhe angazhimi i pa kompromisë i personelit vendor, si dhe përkrahja e pa hezituar e partnerëve ndërkombëtar janë sinkronizuar lehtësisht brenda kornizave të përcaktuara nga një vizion i qartë zhvillimi dhe promovimi të vazhdueshëm të sektorit financiar të vendit, ka theksuar ai.
Kurse Thomas Gnochci, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se Kosova ka një sistem stabil financiar, likuid me depozita financiare që janë të mjaftueshme.
Ndryshe, në Kosovë janë 10 banka të licencuara nga BQK-ja, ku prej tyre 8 banka janë me kapital të huaja dhe dy janë me kapital vendor. Në fushën e sigurimeve janë 14 kompani të sigurimeve të cilat janë të licencuara nga BQK-ja, prej të cilave 9 kompani janë me kapital të huaj dhe 5 me kapital vendor.
Po ashtu në tregun financiar veprojnë dy fonde pensionale dhe një numër i institucioneve që ushtrojnë veprimtarinë mikrofinanciare e financiare jobankare.