Kosova me rritjen më të lartë ekonomike në rajon
Prishtinë, 10 nëntor - Ministri i Financave Besim Beqaj ka deklaruar sot se edhe përkundër rënies së rritjes ekonomike në Evropë dhe rajon, Kosova vazhdon të ketë rritjen ekonomike më të lartë në rajon, edhe pse jo në nivelin e pritur si rezultat i zhvillimeve ekonomike rajonale dhe politike në vend.
Duke folur në panelin kryesor të Forumit Ekonomik Berlini 2014, Ministri Beqaj ka folur për zhvillimet e fundit dhe reformat e ndërmarra, stabilitetin makro fiskal si dhe proceset që ndërlidhen me menaxhimin e financave publike.
Edhe përkundër rënies së rritjes ekonomike në Evropë dhe rajon Kosova vazhdon të ketë rritjen ekonomike më të lartë në rajon edhe pse jo në nivelin e pritur si rezultat i zhvillimeve ekonomike rajonale dhe politike në vend. Gjithashtu përmes reformave që janë ndërmarrë në ATK dhe Doganë, në luftimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe krimeve ekonomike, janë krijuar parakushte për zhvillim ekonomik dhe stimulim të investimeve në vend me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës, ka thënë Ministri Beqaj.
Ai ka theksuar se duke iu falënderuar angazhimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës vendi ynë ka arritur përmirësim të dukshëm në Raportin e Bankës Botërore Doing Business 2015, duke u renditur në vendin e 75 në vitin 2014 nga 127 sa ishte në vitin 2012.
Ministri Beqaj gjithashtu theksoi se Republika e Kosovës dhe vendet e rajonit duhet të vazhdojnë me reformat gjithëpërfshirëse për të siguruar që ekonomitë tona të rriten me ritme të larta dhe më të qëndrueshme dhe kërkoi bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe përkushtim për të përmbushur reformat e kërkuara për integrimin në BE si dhe u angazhua që BE-ja të ofroj të ardhme kredibile për rajonin, ashtu siç u theksua nga të gjitha vendet gjatë Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga Kancelarja Merkel.
Në Forumin Ekonomik Berlini 2014 kushtuar ekonomisë, teknologjisë dhe industrisë së qëndrueshme kanë marr pjesë më shumë se 300 liderë botërorë që vijnë nga fusha e politikës, ekonomisë së bashku me akademikë dhe përfaqësues kryesorë nga sektori privat, nga të gjitha anët e botës.