19 Maj 2024

Kosova me probleme në kontrollin e financave publike

Prishtinë, 6 qershor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar tryezë të rrumbullakët me temën  Efektet dhe sfidat e kontrollit financiar në Kosovë (Zbatimi i Ligjit për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit në Kosovë ).

Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë diskutuar lidhur me legjislacionin për mbikëqyrjen e financave publike dhe efektet e zbatimit të tij në praktikë.

Isuf Zejna nga KDI, ka prezantuar të gjeturat fillestare të monitorimit të zbatimit të këtij Ligji, sipas të cilit përkundër progresit të dukshëm që është arritur, sfida të mëdha mbesin për t’u adresuar, sidomos për sa i përket koordinimit të institucioneve publike, rreth adresimit të gjetjeve për keq menaxhim të financave publike.

Ai ka potencuar se pavarësia e institucionit të Auditorit, është duke u cenuar, si pasojë e legjislacionit i cili nuk është i përshtatshëm sa duhet për të siguruar këtë pavarësi.

“Kompetencat e institucionit nuk janë të përshkruara si duhet, andaj edhe përgjegjësia rreth kontrollit të tyre nuk është e nivelit të duhur. Relacionet me Kuvendin e Kosovës, gjithashtu duhet të precizohet në mënyrë që Kuvendi të siguroj pavarësinë e duhur ZAP-së dhe në anën tjetër të marr informata sa më të detajuara rreth menaxhimit të parave të qytetarëve. Të gjeturat e auditorit, duhet të përcjellën me përgjegjësi politike, të Ministrave dhe bartësve të tjerë të institucioneve nga ana e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Zejna.

Nga ana tjetër kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike Ali Sadriu, ka thënë se Auditorit duhet t’i jepet pavarësia buxhetore edhe duke i dhënë të drejtën për të mbledhur fonde shtesë nga auditimet që mund t’i bëjë për institucionet private.

Ai ka kërkuar që me Ligjin e ri për Zyrën e Auditorit, ky i fundit mos të ketë të drejtë rizgjedhjes, por të ketë vetëm një mandat i cili do të mund eventualisht të ishte më i gjatë sesa është tani 5 vite.

Sadriu po ashtu ka kërkuar që relacionet mes Prokurorisë, Komisionit dhe Auditorit, të rikonsiderohen për të vënë ura të reja bashkëpunimi dhe koordinimi mes institucioneve.

Ndërkaq Auditori i Përgjithshëm Lage Olofsson, ka folur për progresin që ka bërë nga kur ka marr mandatin në Kosovë më 2009.

Ai po ashtu ka njoftuar se Ligji tani më është duke u ndryshuar dhe i njëjti do të përshtatet me praktikat e mira ndërkombëtare të auditimit suprem publik. Lidhur me bashkëpunimin që ka me prokurorinë, ai ka thënë se në këtë aspekt bashkëpunon me prokurorët e EULEX-it.

Drita Hajdari, prokurore dhe koordinatore e Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit në Kosovë, ka vënë në pah nevojën e shtimit të bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve, të cilat kanë për detyrë të garantojnë shpenzim të drejtë të parasë publike. Deri më tani ajo ka deklaruar se bashkëpunimi ka qenë i mangët dhe se i njëjti është bërë në baza të njoftimeve që kanë marr një herë në vit në raportet e publikuara të auditorit.

Pjesëmarrësit e tjerë, kanë kërkuar nga Zyra e Auditorit, të këtë bashkëpunim më të ngushtë me institucionet vendore, dhe kryesisht Prokurorinë e Shtetit në mënyrë që të arrihet efekt më i dukshëm në luftimin e dukurive të korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike dhe detyrës zyrtare.

Po ashtu është kërkuar që të ndryshohet Ligji aktual për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm dhe i njëjti të jetë në përputhje me të gjitha standardet e pranuara ndërkombëtare për auditimin publik.

Në ndërkohë duhet të ruhet dhe të shtohet përkrahja e institucioneve për Zyrën e Auditorit për të siguruar paanësinë e tij, në procesin e kontrollit financiarë.

Nga prokuroria e Shtetit është kërkuar që t’u kushtojë vëmendje më të madhe raporteve dhe të gjeturave të ZAP-së, pasi ekziston përshtypje e përgjithshme se ato as që lexohen nga Prokuroria e Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)