Kosova me normën më të lartë të papunësisë
Prishtinë, 18 prill - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti një konferencë për shtyp ku analizoi Raportin e Shpenzimeve për vitin 2018, publikuar nga Ministria e Financave.
Deputetja Arbërie Nagavci dhe aktivisti Edison Jakurti, i specializuar në ekonomi, vunë në dukje disa nga të gjeturat e analizës së raportit.
Kosova sipas Nagavcit ka pasur normën më të lartë të papunësisë dhe normën më të ulët të rritjes së vendeve të punës.
Nagavci ka theksuar se përveç zvogëlimit të tregut të punës, me njerëz që po e lëshojnë vendin, rreth 58% e atyre që janë në treg të punës duhet të presin më shumë se një vit për të gjetur punë.
Ajo konsideron se rritja ekonomike e publikuar nga qeveria, e cila nuk po krijon vende të punës mbetet veç një shifër pa ndikim pozitiv e efektiv në mirëqenie.
Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve është për 3.3% më i lartë në mars të 2019 sesa ai në mars të 2018.
Cmimi i bukës dhe drithërave është rritur për rreth 12%, çmimi i mishit është rritur përreth 4%; ai i qumështit, djathit, dhe vezëve për 4%, i perimeve për 33%; e kostoja e përdorimit të pajisjeve për transport personale për 6.4%.
Këto sipas Nagavcit janë produkte e shërbime bazë, nuk janë luks, pra, raporti i zhdrejtë mes normës së papunësisë dhe normës se inflacionit, tek ne është kthyer në raport të drejtë: ne kemi edhe rritje të papunësisë, edhe rritje të çmimeve. Pra na kanë ofruar një gjendje të katastrofës.
Një përcaktues tjetër i rritjes ekonomike thuhet të jetë eksporti në shërbime. Por, në masë të madhe, kjo ndodh për shkak të mërgimtarëve që vijnë në Kosovë për vizitë – nuk është meritë e ndonjë politike proaktive të qeverisë.
Në tregtinë me mallra, ku mund të ketë dorë kjo qeveri, kemi deficit të lartë tregtar: ne vitin 2018, deficiti tregtar iu afrua shifrës së 3 miliard eurove, që ishte mbi 11% më i lartë se deficit tregtar në vitin 2017. Pra, për një euro të fituar nga eksporti, ne i kemi dhënë 9 euro në import.
Krenaria tjetër e Ministrisë së Financave mbetet stabiliteti makroekonomik. Por, norma e papunësisë rreth 30%, norma e popullsisë ekonomikisht joaktive 59%, deficiti tregtar prej afër 3 miliardë eurosh; inflacioni prej rreth 3.3%; tregojnë se ne jemi në krizë. Dhe, në kohë krizë stabiliteti do të thotë mirëmbajtje e krizës. Pra duhet stimulim i ekonomisë, e jo stabilitet.
Në vitin 2018, mbi 12 milionë euro janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, nga të cilat mbi 7 milionë vetëm për akomodim dhe meditje të zyrtarëve.
Ndërsa, qeveria ka ndarë 120,000 euro për 800 familje të rrezikuara të komunitetit egjiptian. Pra, 150 euro për ta nxjerrë nga rreziku një familje të komunitetit egjiptian, dhe mbi 7 milionë për meditje dhe akomodim të zyrtarëve jashtë vendit.
Gjatë vitit të kaluar, rreth 3 milionë e gjysmë janë shpenzuar në dreka zyrtare. Ndërsa për këtë vit, për 103,409 qytetarë të varur në ndihmën sociale janë ndarë 30 milionë euro, që i bie rreth 0.79 euro në ditë.
Pra, qeveria që ka shpenzuar 3.5 milionë euro për dreka zyrtare në 2018 ndërsa ka planifikuar 0.79 euro në ditë për një të varfër në vitin 2019.
Asnjë biznes i madh i ri nuk u regjistrua në Kosovë vitin që lamë pas.
Për Vetura zyrtare janë shpenzuar mbi 1 milionë euro. Ndërsa për Fushat sportive vetëm 300 mijë euro. E për pajisje muzikore për artistët tanë 0 euro. Furnizim me ushqim dhe pije në total kjo qeveri i ka shpenzuar rreth 12 milionë euro.
Dhe të marrësh me mend se çfarë kanë qenë rezultatet në politikën apo në tregtinë e jashtme të Kosovës përballë 7 milionë eurove të shpenzuara gjatë 2018.
Shpenzimet për shënimin e pavarësisë mbi 600 mijë euro, pra për një ditë të vetme shtuar kësaj dhe pagesën e borxhit të prapambetur nga një vit më parë rreth 200 mije euro, pra gati 800 mijë euro për shënimin e pavarësisë.
Raporti i të punësuarve me kontratë për shërbime të veçanta, pra ata që i angazhojnë ministrat sipas interesit të tyre mbi stafin civil që e ka të përcaktuar çdo ministri.
Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë 207 persona
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve 118 persona
Ministria e Infrastrukturës 135 persona.
"Nuk është çështja vetëm që ka keqpërdorimeve enorme, këtu është problemi që mendësia e tyre është e tillë. Dhe se secili prej tyre nga PANQeveria mendon se i takon ta përdorë paranë publike sipas interesit të ngushtë."
"Nuk mundemi më me këtë mendësi. 11 vite menaxhim i buxhetit, 11 vite paradigmë ekonomike e mbrapsht. Është koha për ta ndërruar rrënjësisht këtë situatë", thekson Nagavci.