Kosova me kod telefonik kombëtar +355
Prishtinë, 6 shtator - Në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, deputetët, me shumicë votash (47 për, 9 kundër dhe 2 abstenim), miratuan Rezolutën e paraqitur nga z. Agim Kuleta, deputet i Lëvizjes për Bashkim.
Sipas Rezolutës së miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhej të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale që i shfrytëzon Kosova (+377, +381 dhe +386) me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355.
Me këtë hap Kosova dhe qytetarët e saj do të përfitonin shumë si në aspektin politik, ekonomik poashtu edhe në aspektin e sigurisë.
Më poshtë e keni tekstin e miratuar të rezolutës:
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6, paragrafi 1 dhe të nenit 52, pika 2, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës,
- Duke qenë se Republika e Kosovës ende nuk është anëtare e OKB-së dhe UNT-së (Unionit Ndërkombëtar për Telekomunikacion; angl. ITU), e rrjedhimisht nuk mund të ketë kod të vetin telefonik,
- Duke i pasur parasysh humbjet e mëdha financiare (qindra milionëshe) të cilat i ka pësuar dhe i pëson Republika e Kosovës nga shfrytëzimi i kodeve të huaja telefonike: të Monakos, Serbisë, e Sllovenisë,
- Duke e pasur parasysh koston e komunikimit midis qytetarëve që janë shfrytëzues të kodeve të ndryshme telefonike brenda vendit tonë,
- Duke qenë se lëvizjet e shumta të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë dhe anasjelltas kanë bërë që intensiteti i komunikimit midis tyre përmes rrjetit telefonik të rritet, ndërkohë që kostoja e këtij komunikimi, për shkak të kodeve të ndryshme, është shumë e lartë,
- Duke e pasur parasysh mundësinë serioze të cenimit të sigurisë shtetërore,
Në seancën plenare të datës 30 gusht 2012, miratoi këtë:
R E Z O L U T Ë
1. Qeveria e Republikës së Kosovës, të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale që i shfrytëzon Kosova (+377, +381 dhe +386) me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355.
2. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, brenda një kohe shumë të shkurtër, ti iniciojë negociatat me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
3. Në qoftë se kostoja e shkëputjes së kontratave aktuale valide me ofruesit e kodeve telefonike është më e lartë për vendin sesa respektimi i tyre deri në fund, këto kontrata të zbatohen deri në afatin e paraparë për përfundimin e tyre, por ato të mos vazhdohen më tutje.