Kosova me IBAN të numrave të llogarive bankare të Kosovës
Prishtinë, 7 gusht - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se ka pranuar njoftimin për regjistrimin e formatit IBAN të numrave të llogarive të mbajtura në bankat e Kosovës.
Që nga zyrtarizimi i kodeve SWIFT të bankave të Kosovës vitin e kaluar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe bankat komerciale të vendit kanë qenë të angazhuara për zyrtarizimin edhe të formatit IBAN të numrave të llogarive bankare të Kosovës me qëllim të avancimit të mëtejmë të kryerjes së pagesave ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Formati IBAN do të jetë në përdorim opsional në pagesat ndërkombëtare dhe nuk do të ketë reflektim në pagesat brenda vendit. Data efektive e formatit IBAN të llogarive bankare të Kosovës do të jetë 1 shkurt 2015. Deri atëherë do të kryhen të gjitha përgatitjet teknike dhe njoftimet e klientëve nga ana e institucioneve financiare të vendit, ka njoftuar BQK-ja.
IBAN-i (International Bank Account Number) është një format i standardizuar ndërkombëtarisht i numrit të llogarisë bankare, i cili është në përdorim nga shumë shtete, kryesisht në Evropë. Lindi si një iniciativë evropiane për integrim ekonomik në sferën e pagesave. Qëllimi parësor i përdorimit të formatit IBAN është zvogëlimi i rrezikut të gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare, duke i përkufizuar ata strukturorisht dhe aritmetikisht. Formati IBAN është i rregulluar me standardin ndërkombëtar ISO 13616.
Përdorimi i formatit IBAN për llogaritë e mbajtura në Kosovë do të komplementojë funksionalitetin e sistemit SWIFT lidhur me kryerjen e pagesave ndërkombëtare të qytetarëve dhe subjekteve të tjera të vendit tonë.
Në radhë të parë, përdorimi i formatit IBAN të llogarive bankare do të lehtësojë pagesat ndërkombëtare hyrëse në Kosovë, duke i mundësuar bankës së jashtme identifikim më të qartë të llogarisë bankare të përfituesit në Kosovë dhe kontroll plotësues të saktësisë së kësaj llogarie. Për më tepër, përdorimi i formatit IBAN do të forcojë afirmimin ndërkombëtar të institucioneve financiare të vendit.