Kosova më e korruptuara në rajon
Prishtinë, 1 Dhjetor - Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të lansuar sot nga Transparency International (TI) dhe TI-Kosova, u konstatua se Korrupsioni vazhdon të njollos shumë shtete të botës, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Ky indeks tregon se disa qeveri edhe më tutje janë duke dështuar në mbrojtjen e qytetarëve nga dukuritë korruptive, pa marrë parasysh format e paraqitjes së saj, qoftë si keqpërdorim i resurseve publike, mitë-marrje apo vendimmarrje jotransparente.
Në këtë raport, TI paralajmëron se protestat e ndodhura përreth botës gjatë këtij viti, kanë qenë të nxitura nga niveli i korrupsionit dhe ekonomia jostabile, e që tregojnë qartë se qytetarët ndjejnë se liderët e tyre dhe institucionet publike nuk janë sa duhet transparente dhe llogaridhënëse.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2011, në nivel global, Kosova radhitet në vendin e 112, që do thotë se konsiderohet si një vend me nivel të lartë të korrupsionit , duke u vendosur kështu në një grup me shtetet si: Algjeria, Egjipti, Moldavia, Senegali dhe Vietnami.
\"Mungesa e vullnetit politik dhe neglizhenca e vazhdueshme e institucioneve tona për ta luftuar këtë fenomen, ka bërë që Kosova të renditet si vendi me korruptuar edhe ne mesin e shteteve të rajonit, duke vështirësuar kështu mundësinë e krahasimit të saj madje edhe me shtetet më të afërta , tha gjatë shpalosjes së këtij indeksi znj. Merita Mustafa, Menaxhere e Programit Anti-korrupsion në KDI/TIK.
Ky nivel i lartë i korrupsionit është duke e ngulfatur ekonomin e vendit, e më së shumti është duke e ngarkuar qytetarin e Kosovës, i cili, për shkak të korrupsionit detyrohet që të paguaj shuma shumëfish më të larta për produkte dhe shërbime të ndryshme, ndërkohë që i njëjti fenomen vazhdon të shpërblej një grup të caktuar të njerëzve nga sektori i biznesit dhe zyrtarë të lartë publik. Po ashtu, ky nivel i korrupsionit, është duke e rrezikuar edhe aspiratën më të madhe të vendit tonë, e që është integrimi i saj në zonat Euro-atlantike tha më tej znj. Mustafa.
TIK i bënë thirrje Qeverisë, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve tjera përgjegjëse, që ky Indeks dhe raportet tjera që flasin mbi nivelin e korrupsionit në Kosovë, të ndikojë në ndryshimin e qasjes së tyre ndaj këtyre fenomeneve, duke treguar përkushtimin maksimal dhe duke bërë veprime konkrete në luftë kundër korrupsionit si: fuqizimin dhe garantimin e plotë të pavarësisë së institucioneve që merren me luftën kundër- korrupsionit, ndërtimin dhe konsolidimin e mekanizmave që luftojnë këto dukuri, plotësimin, ndryshimin dhe zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit, si dhe ndërmarrjen e reformave të nevojshme të cilat kanë për qëllim reduktimin e veprave korruptive.
Indeksi Perceptimit të Korrupsionit 2011 vlerëson 183 shtete dhe territore, me nota nga 0(korrupsion i lartë) deri në 10 (shumë të pastra) dhe bazohet në perceptimin e nivelit të korrupsionit në sektorin publik.
Ky indeks përdor të dhëna nga 17 sondazhe të ndryshme, bazuar në faktorë si: zbatimi i ligjeve anti-korrupsion, qasja në dokumente zyrtare dhe konflikti interesit.
Dy të tretat (2/3) e shteteve të ranguara rezultojnë me notën më pak se 5.
Shtetet më të pastra që janë radhitur në këtë indeks janë: Zelanda e Re, e përcjellë nga Finlanda dhe Danimarka. Ndërsa, të fundit mbesin Somalia dhe Korea Veriore (të përfshira për herë të parë).