18 Nëntor 2024

Kosova ka nevojë më së shumti për prodhim

Prishtinë, 8 shtator - Klima jo e favorshme biznesore, mungesa e politikave të pafavorshme qeveritare dhe kreditore, si dhe favorizimi i tregtisë janë disa nga indikacionet, të cilat, sipas njohësve të ekonomisë, po e pengojnë procesin e zhvillimit të prodhimtarisë vendore.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se bizneset e Kosovës po ballafaqohen me vështirësi të ndryshme. Sipas tij, ato po e vështirësojnë dhe procesin e prodhimtarisë në ekonomi. Shahini ka thënë se klima e biznesit në Kosovë është vështirësuar dhe ekonomisë së Kosovës i nevojitet përforcimi i sektorit të prodhimtarisë.

“E vërteta është se bizneset e Kosovës po ballafaqohen me vështirësi të ndryshme. Ato po e vështirësojnë prodhimtarinë vendore duke pasur parasysh që klima biznesore është vështirësuar në Kosovë, mirëpo Kosova ka nevojë më së shumti për prodhim”, ka deklaruar Shahini për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka shtuar se si pasojë e politikave të pafavorshme fiskale, prodhimtaria e bizneseve në Kosovë nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat e konsumatorëve. Kështu që, sipas tij, e tëra kjo po ndikon në një deficit negativ tregtar. “Prodhimi i Kosovës nuk po i plotëson kërkesat e konsumatorëve për arsye të politikave fiskale jo të favorshme. Ne jemi duke u ballafaquar me problemin e importit, i cili po krijon edhe balance negative tregtare”, ka potencuar Shahini.

Importi është i favorizuar nga politikat qeveritare

Kurse drejtori ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, ka deklaruar se sektori i prodhimit është më i rëndë dhe më problematik. Sipas tij, duhet një ambient më i favorshëm për të bërë biznes. “Këtu nuk mjafton vetëm një guxim dhe vullnet individual, por duhet një ambient shumë më i qëndrueshëm që garanton biznesin dhe investimet e bëra”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka shtuar se importi është i favorizuar nga politikat qeveritare për shkak të vjeljes së parave nga importi. Kjo, sipas tij, ndikon që bizneset e Kosovës të jenë të fokusuar më shumë në tregti sesa në prodhimtari. “Me vetë faktin se në politikat zhvillimore të qeverisë më shumë favorizohet importi për shkak të nevojës që duhet bërë për të vjelë para për buxhet, kjo i ka nxitur ndërmarrësit që më shumë të fokusohen te tregtia sesa sektori i prodhimit”, ka deklaruar ai.

Sipas Rexhepit, shkaktarë të tjerë të moszhvillimit të sektorit të prodhimtarisë janë edhe politikat kredituese, të cilat e favorizojnë më tepër tregtinë. “Kur i sheh politikat kredituese të bankave më shumë e favorizojnë tregtinë dhe njerëzit normalisht se orientohen në këtë sektor”, ka potencuar ai. 

Drejtori ekzekutiv i STRAS-it, Ibrahim Rexhepi, është shprehur se tregtia nuk ofron shumë vende të punës dhe, sipas tij, është ventili kryesor i cili ka ndikim në nxjerrjen e parasë nga Kosova. “Tregtia është e orientuar kryesisht në importe, jo në eksporte. Duke pasur parasysh ofertën shumë të dobët që e ka ekonomia e Kosovës, ajo ka ndikim shumë të madh në bilancin e keq tregtar që e ka Kosova”, ka theksuar ai.

Milli: Përveç tregtisë, duhet drejtuar në sektorin e prodhimtarisë

Se ekonomia e Kosovës ka nevojë për zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë, këtë e ka deklaruar për gazetën edhe kryetari i Odës Tregtare Kosovare Turke (OTKT), Ahmet Mithat Milli. Ai ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë duhet të zhvillohet nëpërmjet sektorit privat. “Qeveria e Kosovës në këtë drejtim duhet ta hartojë një rrugë udhëzuese dhe të zhvillojë politika stimuluese.

\"Me kapitalin vendor, Kosova ende nuk ka fuqi të mjaftuar. Përveç tregtisë, duhet drejtuar në sektorin e prodhimtarisë. Qeveria e Kosovës me anë të disa reformave ka arritur ta përmirësojë mjedisin e investimeve dhe të bërit biznes, por ky proces duhet të vazhdojë dhe duhet punuar në drejtim të politikave stimuluese në këtë fushë”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet pasur parasysh se asnjë investim nuk bëhet për të prodhuar vetëm për Kosovën. “Në këtë kontekst, është me rëndësi që Kosova të formojë politika të përbashkëta me shtetet fqinje dhe së bashku t’i eliminojnë procedurat e panevojshme doganore mes vete”, është shprehur ai, duke shtuar se asetet apo investimet në sektorin e ndërtimtarisë nuk gjenerojnë një lëvizje të madhe në sektorin real dhe nuk zhvillojnë industrinë e prodhimit.


Albulena S. MAVRAJ

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)