Kosova hedh poshtë pretendimet serbe për Trepçën
Prishtinë, 16 nëntor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Fadil Ismajli, i ka dërguar selam ministrit të Xehetarisë dhe të Planit Hapësinor të Serbisë, Millan Baçeviq, se po bën vetëm deklarata të kota për pretendimet se Serbisë për Kombinatin Xehetar Metalurgjik Trepça.
Ministri Ismajli për gazetën Epoka e re ka thënë se ligjet e Kosovës i mbrojnë të gjitha ndërmarrjet e Kosovës dhe dihet ndërkombëtarisht se ato janë të Kosovës. Sa të duhen të bëjnë deklarata rreth pasurisë së Kosovës, apo edhe Kombinatit Xehetar Metalurgjik Trepça, është pasuria e Kosovës dhe ne fare nuk i marrim parasysh ato deklarata që po bëhen çdo ditë, ka thënë ai.
Ndryshe një marrëveshje për bashkëpunim afarist-teknik ndërmjet Kombinatit Xehetar Metalurgjik Trepça, siç vazhdon ta quajë Beogradi këtë vigan të Kosovës dhe kompanisë amerikane New Generation Power (NGP) do të mund të konkretizohet deri në fund të këtij viti, ka shkruar e përditshmja serbe Novosti, duke cituar ministrin e Xehetarisë e të Planit Hapësinor, Millan Baçeviq.
Sipas tij, propozimi mbi partneritetin strategjik është gati, kanë mbetur vetëm të dyja palët ta harmonizojnë formën përfundimtare të atij dokumenti.
Me ditën e nënshkrimit të asaj kontrate arrihen të gjitha kushtet për realizimin e investimeve të kompanisë amerikane në Trepçë, citon gazeta Baçeviqin.
Plani parasheh hapjen e minierave të reja, ku rezultatet e kërkimeve gjeologjike tregojnë se kjo është me leverdi, pastaj të zgjerohet dhe të rritet vëllimi i prodhimit në minierat ekzistuese që ndodhen në përbërje të Trepçës veriore, siç e quan kjo gazetë këtë pjesë të këtij kompleksi xehetar, e këto janë Bello Berdo dhe Cërnci.
Do të instalohen pajisje të reja për eksploatimin e xehes dhe do të krijohen kushte financiare për ndërtimin e shkritores së re në Zveçan.
Po me plan parashihet edhe ndërtimi i një termocentrali, i cili do të prodhonte rrymë për të gjitha komunat në pjesën veriore të Kosovës, me një fuqi rreth 50 megavatësh.
Raportet e propozuara pronësore ndërmjet Trepçë-s dhe kompanisë amerikane, sipas ministrit serb, do të jenë 51 për qind për palën serbe dhe 49 për qind për NGP.
Kontrata do të nënshkruhet pavarësisht se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dalë në opinion me dofarë planesh të vetat për kombinatin, ka shkruar Novosti.
I kemi bërë pyetje Agjencisë Kosovare se në bazë të cilit akt juridik ose dokumenti pretendon të drejtën në pjesën veriore të Trepçë-s, aq më parë kur Trepça veriore është e regjistruar dhe ndodhet në pjesën serbe të Agjencisë së Resurseve Ekonomike (APR) me një strukturë të përcaktuar dhe të përkufizuar shumë qartë, që i është prezantuar edhe kompanisë amerikane, citon gazeta ministrin serb Baçeviq.
Trepça veriore është qind për qind serbe. Me ardhjen e kapitalit amerikan në Trepçë krijohen kushte për hapjen edhe të minierave të mbyllura në Kosovë, që të aktivizohen ndërmarrjet e shuara dhe që qytetarët e pjesës veriore e jugore të Mitrovicës të llogarisin në punësinë e humbur nga pakujdesia dhe indiferenca e pushtetit të vet, citon gazeta ministrin e Serbisë të ketë folur për pretendimet e fqinjit verilindor ndaj tokave të Kosovës.