Kosova harton Programin Kombëtar për Reforma në Ekonomi
Prishtinë, 19 janar - Ministri i Financave Avdullah Hoti në tryezën e organizuar sot për Programin Kombëtar për Reforma në Ekonomi, tha se Kosova, si çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor, e dorëzon këtë program në Komisionin Evropian në cilësinë e një shteti që fillon rrugëtimin brenda procesit të Stabilizim Asociimit, si partner i barabartë.
Në fushën e qeverisjes ekonomike, rrugëtimi ynë drejt anëtarësimit në BE do të ketë dy objektiva; Përmirësimin e kushteve për një ekonomi plotësisht funksionale të tregut, si dhe Zhvillimin e kapaciteteve të sektorit privat për tu përballur me konkurrencën në kuadër të Bashkimit Evropian, ka shtuar Ministri Hoti.
Ai bëri të ditur se rëndësia e programit qëndron në faktin se ofron një model që përcakton kritere të planifikimit përmes të cilit sigurohet stabiliteti makro-fiskal, që është pjesa e parë e programit dhe tejkalimi i dis-balancave strukturore të ekonomisë kosovare, që është pjesa e dytë e këtij programi.
Sipas Hotit ky program i bashkon në një formë standarde disa instrumente ekzistuese që ka Qeveria në dispozicion për planifikim si: kornizën afat-mesme të shpenzimeve, buxhetin vjetor që buron nga kjo kornizë, programin qeverisës, dhe së shpejti edhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik.
Duke filluar nga ky vit, ky program do të dorëzohet i azhurnuar çdo janar dhe shpresoj që intensiteti i punës sonë do të mundësojë që numri viteve që ne e dorëzojmë këtë program të jetë sa më i vogël, në mënyrë që Kosova sa më parë të jetë anëtare e Bashkësisë Evropiane, shtoi Ministri Hoti.