Kosova formalisht anëtarja e 41 e BZHKE
Prishtinë, 20 nëntor - Qeveria e Kosovës dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (BZHKE) janë duke biseduar lidhur me projektet prioritare për vendin tonë, ka thënë ministri i Financave Besim Beqaj në konferencën e sotme me rastin e përfundimit të misionit të delegacionit të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE), të udhëhequr nga Stephan Sellen zëvendësdrejtor i përgjithshëm në drejtorinë e kredive dhe zhvillimit social në BZHKE.
Me këtë rast Ministri Beqaj informoj se gjatë dy ditëve të kaluara, në Kosovë ka qëndruar një ekip i Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, i udhëhequr nga z. Stephan Sellen.
Ky ekip po qëndron në Kosovë për të identifikuar fushat dhe projektet e mundshme për financim në periudhën e ardhshme. Gjatë dy ditëve të fundit, ekipi i Bankës CEB është takuar me institucionet relevante të Qeverisë si dhe me partnerët tanë që veprojnë në Kosovë dhe është diskutuar për mundësitë konkrete të përkrahjes nga kjo Bankë.
Me këtë rast ministri Beqaj rikujtoi se në muajin qershor të këtij viti, pas një lobimi të fuqishëm nga ana e institucioneve të vendit, Bordi Qeverisës i Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës aprovoi Rezolutën për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë institucion.
Në ndërkohë, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të formalizuar anëtarësimin tonë, duke përfshirë edhe ratifikimin e Ligjit për anëtarësim dhe nga fillimi i këtij muaji, pra nëntorit, Kosova formalisht është anëtarja e 41 e kësaj banke, tha Ministri i Financave.
Ai ka theksuar se Anëtarësimi në këtë institucion, zgjeron edhe më tej mundësitë e Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat për burime afatgjata të financimit të projekteve me rëndësi për vendin.
Ju mund të dini se fushë-veprimtaria e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës është pak sa më ndryshe nga institucionet tjera. Sipas akteve të themelimit të kësaj Banke, ajo synon të përkrah sektorët dhe projektet që kontribuojnë në forcimin e kohezionit social të vendeve anëtare, shtoi ministri Besim Beqaj.
Në anën tjetër Stephan Sellen , zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e kredive dhe zhvillimit social të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, e falënderoi Ministrin Beqaj për mikpritjen dhe bashkëpunimin, si dhe e uroi atë për anëtarësimin e Kosovës si anëtarja e 41 me radhë në këtë Bankë.
Ai njoftoi se përfaqësuesi i Kosovës javën e kaluar ka marrë pjesë për herë të parë në Këshillin e Bankës në Paris, dhe shtoi se guvernatori i Bankës ka kërkuar nga ne që të vijmë këtu dhe të kemi kontaktet e para teknike në teren për të identifikuar mundësitë për bashkëpunim në kontekstin e mandatit tonë që është zhvillimi socio- ekonomik dhe përfshirja në këtë kontekst.
Kemi pasur kontakte me autoritete qeveritare por gjithashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë, pra me Bashkimin Evropian, me përfaqësuesit tjerë të Bankës, sigurisht që janë Franca, Italia, Gjermania, Zvicra etj,. Kemi qenë gjithashtu në kontakte edhe me homologët tanë nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare , siç janë Banka Botërore etj, pra për të parë se ku do të mund ta fillonim potencialisht bashkëpunimin tonë ne si Bankë për zhvillim socio-ekonomik në Evropë, ka shtuar z. Sellen.