Kosova fillon zbatimin e Kontrollit të Financave Publike 2015 - 2019
Prishtinë, 21 maj - Fillimi i zbatimit të Strategjisë së Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike (KBFP) 2015 2019 si pjesë e reformës së përgjithshme të Administratës Publike në Kosovë, synon përfshirjen e parimeve të qeverisjes së mirë në operimet e subjekteve të sektorit publik në Kosovë, u tha sot në Konferencën për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, të organizuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi tha se zbatimi i Strategjisë së KBFP-së është prioritet për Qeverinë e Kosovës për dy arsye ajo ka nevojë për një përmirësim të menjëhershëm dhe afat gjatë të gjendjes në financat publike dhe në të njëjtën kohë Strategjia e KBFP-së është pjesë e kërkesave të Komisionit Evropian për dhënien e qasjes në fondet e BE-së dhe në ofrimin e përkrahjes direkte me buxhet për Kosovën.
Jemi të vetëdijshëm se një Strategji e tillë nënkupton ndryshime substanciale në qëndrimin dhe në mënyrën se si trajtohen financat publike si financa tona personale, për përgjegjësitë dhe për të qenë të hapur e për të ofruar informata se ku shkojnë të hollat. Në mënyrë që ky ndryshim të ketë sukses, Qeveria e Kosovës parashikon se komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja në radhë të parë, do të ofrojnë përkrahjen e nevojshme dhe asistencën teknike për zbatimin e Strategjisë, shtoi Krasniqi.
Zëvendësministri Krasniqi gjithashtu tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur të promovoj politikën sipas së cilës shërbyesit civil duhet të veprojnë gjatë gjithë kohës në interesin e publikut. Strategjia e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike dhe plani i saj i veprimit janë masat që ngërthejnë rrugën drejt një menaxhimi llogaridhënës, transparent dhe të ligjshëm të fondeve publike në interes të tatimpaguesve.
Strategjia e KBFP-së synon që të siguroj pajtueshmërinë ligjore të veprimeve të menaxhmentit në sektorin publik, të fuqizoj kontrollin e brendshëm ndaj shpenzimeve publike dhe mbledhjes së të hyrave për të siguruar operim të mirë të shërbimeve publike, si dhe zvogëlimin e rrezikut të keq menaxhimit, shpërdorimit dhe mashtrimit në burimet publike.
Plani i veprimit i Strategjisë së KBFP-së përfshinë ndryshimin e kornizës rregullatore të Menaxhimit të Financave Publike për sigurimin e llogaridhënies menaxheriale dhe bërjen e menaxherëve llogaridhënës në rastet e shkeljeve ligjore, integrimin e kontrolleve në sistemet për menaxhimin e informatave, futjes së menaxhimit të rrezikut dhe bërjen e funksionit të auditimit të brendshëm në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare.
Strategjia e KBFP-së është zhvilluar me asistencën teknike të financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë. Financimi nga BE-ja do të ofrohet për zbatimin e veprimeve për vitin 2015. Sistemi i mirëfilltë dhe i fuqishëm i KBFP-së është komponenti kryesor për pajtueshmëri me Acquis Communautaire sipas Kapitullit 32 Kontrolli Financiar. Zbatimi i saj i suksesshëm do ti lejoj Kosovës përfitimin e më shumë fondeve efikase nga BE-ja. Strategjia e KBFP-së 2015 2019, periudhë bashkëpunimi në mes të BE-së dhe Kosovës në fushën e MFP-së.
Në këtë Konferencë pjesëmarrës ishin, z. Agim Krasniqi Zëvendësministër i Financave, z. Raymon Hill këshilltar i kontrollit të brendshëm në DP të Buxhetit, Komisioni Evropian, Bruksel z. Thomas Gnocchi, kryesues i sektorit politik, ekonomik dhe integrimit evropian, Zyra e BE-së në Kosovë, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Në fund të kësaj konference gjithashtu u bë shpërndarja e certifikatave të CIPFA-as të njohura ndërkombëtarisht për 36 auditorë të brendshëm, si dhe shpërndarja e certifikatave për 14 tutorët në fushën e Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit (MFK).