Kosova fillon pjesëmarrjen në SShDhP të FMN-së
Prishtinë, 2 prill - Republika e Kosovës dje filloi pjesëmarrjen në Sistemin e Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme (SShDhP) të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) duke bërë kështu një hap të madh në zhvillimin e sistemit të statistikave.
Informacionet e plota për prodhimin e statistikave të Kosovës dhe praktikat e shpërndarjes tani janë të prezentuara në Faqen e Buletinit të Shpërndarjes së Standardeve të FMN-së. (http://dsbb.imf.org/Applications/web/gdds/gddscountrylist/).
Për të shënuar këtë ngjarje, Gani Gërguri, Ushtrues Detyre i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, theksoi:
Kosova është e përkushtuar të përdorë Sistemin e Përgjithshëm të Shpërndarjes së të Dhënave si një kornizë të përgjithshme në avancimin e mëtutjeshëm të sistemit kombëtar të statistikave në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Kosovës në GDDS sipas tij po ashtu do të çoj në prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave më të sakta dhe më të besueshme.
Znj. Adelheid Burgi-Schmelz, Drejtoreshë e Departamentit të Statistikave, e mirëpriti pjesëmarrjen e Kosovës në GDDS duke theksuar:
Pjesëmarrja e Kosovës në GDDS është një arritje e madhe në zhvillimin e statistikave të vendit. Jam e bindur që Kosova do të përfitoj nga përdorimi i GDDS-it si një kornizë për zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit të saj të statistikave.
GDDS është themeluar nga FMN në vitin 1997. Ky sistem ofron një kornizë për të ndihmuar vendet që të zhvillojnë sistemet e tyre statistikore në podhimin e statistikave të plota e të sakta për bërjen e politikave dhe analizave.
Kosova është anëtari i 98 i GDDS-it, duke përjashtuar vendet që janë avancuar nga GDDS-i në Standardin e Shpërndarjes së të Dhënave Speciale (angl. Special Data Dissemination Standard - SDDS).