17 Nëntor 2024

Kosova është në krizë

Prishtinë, 10 nëntor -  Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sala Berisha-Shala, ka thënë se bllokada politike është duke pamundësuar realizimin e projekteve kapitale, të cilat po ndikojnë në parashikimet e rritjes ekonomike.

“Perspektiva e zhvillimit ekonomik po rrezikohet, kanë mbetur ligje, strategji zhvillimore të paplotësuara e të pamiratuara. Kush do t’ia dëshironte Kosovës një zvarritje të tillë. Bie fjala, mos ta ketë të rregulluar me ligj ushtrinë e vet. Kush do të dëshironte të mbetet pezull statusi i gjigantit ‘Trepça’ e shumë punë e procese të tjera që lidhen me të ardhmen e vendit”, është shprehur ajo. Shala ka thënë se “Trepça” ka minerale të linjitit me miliarda tonë por, pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja mbetet statusi i padefinuar.

Berisha-Shala në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se janë dy strategji, të cilat duhen ndjekur Kosova nëse do ta zhvillojë industrinë e minierave dhe mineraleve. “Kosova duhet ta ndjekë strategjinë e angazhimit në dy drejtime. Drejtimi i parë të ndërtohet, plotësohet e ndryshohet infrastruktura e nevojshme ligjore, që i favorizon minierat dhe mineralet, drejtimi i dytë të materializohen ose të përkthehen në zhvillim ekonomik resurset minerale”, është shprehur ajo.
 
“Epoka e re”: Znj. Berisha-Shala, ka disa muaj që Kosova gjendet në ngërç politik, i cili ka ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik. Si deputete e Kuvendit, si e shihni tejkalimin e kësaj situate?

Berisha-Shala: Zhvillimi ekonomik ka qenë një nga fjalët kyçe të të gjitha partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe nuk do të duhej të jetë vetëm slogan fushate. Nëse nuk kemi mundësi ta dinamizojmë zhvillimin ekonomik në hap me kohën, atëherë së paku mos të hapim pengesa prej më banaleve siç po ndodh tani me “gripin/fruthin politik”. Më lejoni të them se duhet t’i gëzohemi faktit se zgjedhjet e 8 qershorit, të organizuara nga vendorët e të mbikëqyrura edhe nga të huajt, dhanë shkëlqyeshëm testin e demokracisë, pasi për herë të parë u shtrinë në tërë vendin dhe u zhvilluan në një frymë jashtëzakonisht relaksuese e pa tensione. Zgjedhjet u vlerësuan nga faktorët relevantë si nga më korrektet në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, si dhe një test i pjekurisë së shoqërisë sonë në rrugën e demokratizimit dhe integrimit në BE.

Sjellja e disa liderëve partiakë me aq papërgjegjësi, barrikadimi i tyre rreth një fryme jokunstruktive, duke mbjell mosbesim në gjithçka që u del në udhë, nuk do të duhej të ishte imazhi i Kosovës. Qytetarët s’na e dhanë besimin që vendi të futet në një qorrsokak të tillë mosbesimi. Mosbesimi ndaj Kushtetueses, kryetares së shtetit, ligjit dhe ndaj njëri-tjetrit, është shpërfillje totale e vullnetit të qytetarëve. Prandaj humbjet partiake s’duhet shndërruar në humbje të krejt Kosovës. A është kjo demokraci? Jo e madhe! S’është kjo fytyra e demokracisë. Citoj një diplomate evropiane në fillim të shtatorit, e cila pati thënë: “BE-ja do ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e saj evropian. I takon Kosovës ta nxë mundësinë”. E si ta zë mundësinë Kosova, e cila vazhdon të sillet në këtë rreth vicioz?

Në një gjendje të tillë pamundësohet realizimi i projekteve kapitale, i cili drejtpërdrejt ndikon në parashikimet e rritjes ekonomike, në lëkundje apo humbje të besimit të investitorëve vendorë dhe të huaj; ndikon edhe në përkeqësim të gjendjes në sektorin privat dhe publik. Reflekton në reduktimin e vendeve të punës, thellimin e varfërisë edhe ashtu alarmante.
Mendoj se situata s’është e pashpresë. Do të gjendet zgjidhja. Dëshiroj ta shpreh optimizmin tim në këtë drejtim. Tejkalimi i kësaj gjendje është i thjeshtë, duke qenë të gjithë të gatshëm për të ofruar vetërespekt. Pasi institucionet i kemi themeluar vetë, edhe duhen respektuar. Nga kjo situatë dilet duke reflektuar secili pozitivisht, secili me nga pak sakrificë. Sakrifica, mirëkuptimi mes nesh, është dëshmuar në kohë edhe më të vështira. Kjo sakrificë, ky reflektim, natyrisht duhet të bëhet pa e lënduar demokracinë, pa e lënduar vullnetin e qytetarit, pa shkel në vendime të institucioneve të pavarura. Besoj dhe shpresoj në vendosmërinë, përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë që do ta kenë deputetët e përkushtuar të të gjitha partive parlamentare. Shpresoj se do të marrin guxim intelektual, moral e politik. Ajo pjesa e ndërgjegjshme e deputetëve në të gjitha partitë dhe do t’i japin fund kësaj bllokade. Pra, zgjedhja, perspektiva janë në duart tona, në duart e deputetëve dhe vullnetit politik të lidershipit të Kosovës. Punët tona duhet t’i kryejmë vetë, natyrisht duke tejkaluar vetveten dhe mentalitetin e inateve, qofshin ato provinciale, partiake apo personale. Është pak e tepërt, madje edhe turp të presim të na marrin përdorë të tjerët, qofshin ata edhe miqtë tanë më të afërt!
 
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh situatën socio-ekonomike, në ç’perspektivë e shihni zhvillimin ekonomik të Kosovës?
Berisha-Shala: Zhvillimi ekonomik i vendit është në perspektivë të mbarë, por më parë duhet të marrë fund kjo shtangie. Mosfunksionimi i Kuvendit ka lënë peng shumë procese. Kuvendin e vendin i presin shumë punë dhe sfida. Gjithçka është e lidhur me zhvillimet politike. Perspektiva e zhvillimit ekonomik po rrezikohet, kanë mbetur ligje, strategji zhvillimore të paplotësuara, të pamiratuara. Kush do t’ia dëshironte Kosovës një zvarritje të tillë. Bie fjala, mos ta ketë të rregulluar me ligj ushtrinë e vet. Kush do të dëshironte të mbetet pezull statusi i gjigantit “Trepça”, e shumë punë e procese të tjera që lidhen me të ardhmen e vendit.

Përderisa Qeveria mund të punojë disi e të mos ndikohet aq nga situata e mosmarrëveshjes, pjesa tjetër e institucioneve që lidhen me Kuvendin është pothuajse e paralizuar. Më shumë se gjysma e agjencive të pavarura që janë nën mbikëqyrjen e Kuvendit momentalisht janë jofunksionale në mungese të bordeve si Agjencia Kosovare e Privatizimit, Komisioni Kosovar i Konkurrencës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale etj. Të gjitha këto e të tjera qe s’janë përmendur, ndikojnë në mosafarizmin e bizneseve, përkatësisht ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
 
“Epoka e re”: Si bashkautore e librit “Trepça - ristrukturimi, sfidat dhe perspektiva”, vlerësoni se gjatë këtyre viteve është punuar rreth perspektivës së gjigantit “Trepça”?

Berisha-Shala: Në librin “Trepça - ristrukturimi, sfidat dhe perspektiva”, kemi punuar një kohë të gjatë me bashkëshortin tim, Ferat Shala dhe kolegun Bislim Muqa. Kemi bashkuar idetë dhe përvojat nga perspektiva e menaxhimit të “Trepçë”-s dhe perspektiva ligjvënëses, si dhe bazuar në hulumtimin e bërë në “Trepçë”, duke identifikuar sfidat me të cilat përballet ky gjigant ekonomik. Duke ditur se përpjekjet për ringjalljen e gjigantit “Trepça” janë nisur menjëherë pas çlirimit të Kosovës dhe deri pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pak progres ka pasur në këtë drejtim. Në vitin 2008 mund të themi se është bërë një kthesë pozitive edhe në afarizmin e këtij gjiganti dhe përkujdesja e Qeverisë ka qenë më e dukshme. Menaxhmenti i “Trepçë”-s, me faktorë relevantë, qofshin ekspertë profesionistë dhe politikbërës, kanë qenë shumë këmbëngulës për dinamizimin e këtij gjigant, por dihet se mundësitë çdoherë janë më të mëdha. Nuk janë shfrytëzuar të gjitha resurset dhe kapacitetet për “Trepçë”-n dhe idetë janë të parashtruara në libër. Janë dhënë edhe rekomandimet se si do të duhej të funksiononte ky gjigant si shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik. “Trepçë”-s i duhet ristrukturimi i shumanshëm si: ristrukturimi i kapaciteteve humane, menaxheriale etj. Me fjalë tjera, ristrukturimin duhet kuptuar edhe si rivitalizim, rifreskim.
 
“Epoka e re”: Çfarë strategjie duhet ndjekur Kosova që ta zhvillojë industrinë e minierave dhe mineraleve?

Berisha-Shala: Nisur nga këndvështrimi im profesional si gjeologe dhe si deputete, mendoj se Kosova duhet ta ndjekë strategjinë e angazhimit në dy drejtime. Në drejtimin e parë duhet të ndërtohet, plotësohet e ndryshohet infrastruktura e nevojshme ligjore, që favorizon minierat dhe mineralet. Drejtimi i dytë parasheh të materializohen ose të përkthehen në zhvillim ekonomik resurset minerale. Kosova ka një gamë të gjerë të resurseve natyrore, në veçanti atyre minerale, me potencial të madh ekonomik dhe mundësi të zbulimeve të reja, duke shfrytëzuar teknikat moderne të hulumtimit. Është e ditur se studimet gjeologjike në përgjithësi dhe gjeologjike hulumtuese në veçanti, si procese u paraprijnë lëmenjve të tjerë të industrisë dhe japin mundësi për t’i zgjeruar njohuritë e veprimtarive shkencore-aplikative, që në instancë të fundit ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit si dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë socio-ekonomik në shoqëri.
Në Strategjinë Minerare të Kosovës 2010-2025, thuhet se në mungesë të hulumtimeve gjeologjike gjatë 20 vjetëve të kaluara, Kosova ka mundësi të mira për të zbuluar vendburime minerale të reja, si dhe zgjerimin e rezervave aktuale. Hulumtimet janë operime, të cilat i paraprijnë shfrytëzimit të mineraleve të dobishme. Institucioni që tani edhe ligjërisht do të jetë shtyllë kryesore në këtë drejtim është Shërbimi Gjeologjik i Kosovës. Tani për tani industria minerare në Kosovë zhvillohet në dy segmente, përkatësisht dy sektorë, atë privat dhe publik. Nisur nga këndvështrimi im profesional si gjeologe, është e mundur të zhvillohen nëpërmjet afarizmit privat, investimeve të huaja, investimeve publiko-private me partneritet.
 
“Epoka e re”: Ofron “Trepça” kapacitete të nevojshme për tërheqjen e kompanive të huaja gjigante për investime?
Berisha-Shala: “Trepça” ka kapacitet të duhura, të cilat mund të jenë joshëse për investime nga kompanitë e huaja serioze. Në të njëjtën kohë ka edhe dobësitë dhe mangësitë që mund të kenë efekt të kundërt. Lind pyetja, cilat janë kapacitetet e nevojshme për tërheqjen e investitorëve seriozë? “Trepça” ka së pari rezervat minerale të plumbit, zinkut, arit e argjendit, me elemente përcjellëse shumë të vlefshme. “Trepça” ka kapacitete humane të përgatitura në aspektin profesional, ka traditën dhe ka tregun, që është mjaft domethënës në afarizmin e një biznesi si dhe elemente të tjera. Por, dobësi dhe pengesë për tërheqjen e investitorëve është statusi i padefinuar i “Trepçë”-s, pasi ka hierarki të komplikuara menaxheriale dhe është nën menaxhimin e AKP-së. Në raste të caktuara specifike, “Trepça” menaxhohet edhe nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, andaj ky kompleksitet menaxherial tremb investitorët, duke i bërë të ndihen të pasigurt në investimet e tyre. Të gjitha këto sfida janë të prezantuara dhe të studiuara hollësisht në libër.
 
“Epoka e re”: Ka kapacitete të resurseve Kosova për të qenë konkurruese me shtetet e rajonit dhe gjetiu?

Berisha-Shala: Kosova është mjaft e pasur me resurse nëntokësore dhe sipërfaqësore, por duhet të vazhdohet përmirësimi i klimës të të bërit biznes. Resurset janë evidente, si ato njerëzore edhe natyrore. Ka pasuritë minerale të linjitit me miliarda tonë, e favorshme për shfrytëzim, ngase është minierë sipërfaqësore. Kosova është e pasur dhe e njohur jo vetëm në rajon për pasuri të mineraleve metalike, me theks të veçantë plumb, zink, ari, argjend, nikel, kobalt e tjera elemente të rëndësishme. Ka zona turistike malore me klimë të veçante që e bën të dallueshme në rajon siç janë: Prevalla, Brezovica, Bjeshkët e Rugovës dhe zona të tjera ende të paeksploruara. Me fjalë të tjera, ka pasuri nëntokësore dhe turistike që e bëjnë jo vetëm konkurruese, por edhe të veçantë. Kosovës i mungojnë kapacitetet financiare.
 
“Epoka e re”: Jeni në mesin e grave më të votuara në Kuvendin e Kosovës. Do të jeni zë që do të loboni për zhvillimin e resurseve të Kosovës?

Berisha-Shala: Sa herë që më jepet rasti do t’i falënderoj të gjithë ata që zgjodhën PDK-në për t’ia dhënë besimin të qeverisë, njëkohësisht që më besuan për t’i përfaqësuar në Kuvend. Besoj se do të jem zë i fuqishëm i tyre. Ndihem shumëfish e obliguar, ngase në secilat zgjedhje qytetarët e Kosovës veç sa e kanë shtuar besimin tek unë. Në këtë mënyrë vazhdimisht kam qenë ndër gratë më të votuara dhe kam hyrë në Kuvend jo me kuotë gjinore, por me bindjen e fuqishme të qytetarëve. Andaj kjo më obligon. Zëri im do të jetë i fuqishëm në ato momente kur të më jepet rasti që ka të bëjë me fuqizimin e gruas në çdo sferë të jetës, sidomos në vendimmarrje. Sa iu përket resurseve minerale, do të përpiqem të përgatis, të inicioj ligje që fuqizojnë resurset në mënyrë që të hapën mundësi, të krijohen lehtësira ligjore që funksionalizojnë minierat dhe mineralet në favor të zhvillimit ekonomik. Kjo gjë sigurisht se do ta krijojë mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës, zbus varfërinë, krijoi të hyra si dhe ta dinamizojë rritjen ekonomike.
 
(Albulen S. MAVRAJ)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)