Kosova e Zvicra me marrëveshje 100-vjeçare
Prishtinë, 4 dhjetor - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, ka shprehur optimizëm se problemi i sigurimeve shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës, i shfaqur në vitin 2010, nga ana e Qeverisë federale zvicerane, do të zgjidhet.
Ministri Rashiq ka bërë me dije për gazetën Epoka e re se ka biseduar me zyrtarë të Qeverisë Federale të Zvicrës dhe, sipas tij, të dyja palët kanë rënë dakord ta zgjidhin problemin, i cili ka prekur qindra qytetarë të Kosovës. Ai ka thënë se nëse marrëveshja do të arrihet në një të ardhme jo të largët, do të jetë për një periudhë prej 50 deri në 100 vjet.
Siç dihet, që nga 1 prilli 2010, pas një vendimi të Këshillit Federal, Zvicra nuk zbaton me Kosovën Konventën për Sigurime Shoqërore të arritur më parë me ish-Jugosllavinë. Gjykata Federale ka konfirmuar këtë vendim në qershor 2013, ka deklaruar ai.
Sipas tij, janë gjashtë pika që të dyja palët i kanë diskutuar dhe që duhet të plotësohen nga ana e Qeverisë së Kosovës, të cilat do të mundësonin të ketë marrëveshje me qeverinë zvicerane.
Ministri Rashiq ka vlerësuar se fillimi i diskutimit të problemit të sigurimeve shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës do ta hapë një kapitull të ri të një marrëveshje, e cila do të jetë e gjatë për shumë vjet.
Ne marrëveshjen që do ta bëjmë me Zvicrën synojmë të jetë e gjatë për 50 apo 100 vjet, pra marrëveshje afatgjatë, prandaj duhet kohë ta realizojmë, ka thënë ai.
Ministri Rashiq ka bërë me dije se në muajin janar ekspertët e Zvicrës do ta vizitojnë Kosovën për ti shikuar problemet teknike dhe kështu do të bisedohet për ti harmonizuar qëndrimet e dy vendeve.
Kjo marrëveshje do të jetë një sinjal i mirë, që ne do të lidhim edhe marrëveshje të së njëjtës formë me shtetet e Bashkimit Evropian, me të cilat në këtë kohë nuk kemi marrëveshje të tilla, ka thënë ai.
Rashiq nuk ka dhënë afate kur do të mund të zgjidhet saktë problemi i sigurimeve shoqërore me Zvicrën pasi, sipas tij, nuk do të punohet vetëm me afate. Do ti harmonizojnë të dy shtetet qëndrimet, Kosova dhe Zvicra. Presim të arrijmë tek ai synimi ynë, ka thënë ai.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, ka bërë me dije se shumica e kërkesave që janë bërë nga Zvicra janë të natyrës teknike dhe nuk kanë të bëjmë me ndonjë qëllim tjetër.
Qeveria Federale e Zvicrës ka kërkuar që gjashtë kushtet të plotësohen nga Qeveria e Kosovës. Një ndër kushtet është të miratohet Ligji i Pensioneve, ka thënë ai.
Ministri Rashiq ka thënë se do të kërkojë nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës ta miratojnë sa më parë këtë ligj, pasi ka gati një vit që ai ligj fle në sirtarët e Kuvendit të Kosovës.