Kosova e Turqia nënshkruan marrëveshje financiare në siguri
Prishtinë, 14 dhjetor - Ministri i Ministrisë për Forcën e sigurisë së Kosovës(MFSK), Zotëri Haki Demolli priti në vizitë zyrtare në ministri, Ambasadorin fuqiplotë të Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës, zonjën Kivilcim Kilic, të cilët nënshkruan marrëveshjen financiare për vitin 2015.
Marrëveshja financiare e nënshkruar sot, e cila ka vlerë prej një milion dollarëve, është marrëveshje e cila nënshkruhet në fund të çdo viti, e që hap rrugë realizimit të projekteve për pajisje, trajnime dhe çështje tjera, të cilat janë të parapara edhe në bazë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Me këtë rast ministri Demolli i shprehu ambasadores Kilic falënderim të veçantë për gatishmërinë e vazhdueshme të Republikës së Turqisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes që të përkrahin dhe mbështesin Ministrinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në shumë fusha bashkëpunimi.
Gjithashtu, ministri Demolli tha se e gëzon fakti se po përmbyllin edhe një vit të frytshëm të bashkëpunimit me realizimin me sukses të shumë projekteve të bashkëpunimit si dhe intensifikimin e shkollimeve dhe trajnimeve në fusha të nevojshme për kapacitetet tona.
Nga ana e saj, Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës, zonja Kivilcim Kiliç e ri konfirmoj gatishmërinë Qeverisë së Turqisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për mbështetje të vazhdueshme për Ministrinë dhe FSK-në, në fushat që janë të precizuara në Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dyja ministrive asaj të Mbrojtjes të Turqisë dhe të FSK-së.