05 Nëntor 2024

Kosova e përkushtuar që t'i jetësojë projektet e mëdha të interesit publik

Prishtinë, 5 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim delegacionin e Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), të udhëhequr nga Drejtori i Konstituencës së Holandës, Kinës, Mongolisë, Maqedonisë dhe Armenisë Frans Weekers, dhe Drejtori i Bordit për Irlandën, Danimarkën, Lituaninë dhe Kosovën, Patrick Walsh. Anëtarët e Bordit të pranishëm në këtë takim në mesin e tyre përfaqësuan 32 vende të botës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, e ka falënderuar Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që vazhdon të jetë një ndër partnerët  strategjik të Kosovës që ka ndihmuar në realizimin e projekteve shumë të mëdha infrastrukturore.

“Ardhja juaj në Kosovë është një mesazh i mirë dhe konfirmim i punës së mirë që kemi pasur gjatë kësaj kohe”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë partneritetin me BERZH në projektet më të rëndësishme zhvillimore të vendit.

“Kosova mbetet e përkushtuar që t'i jetësojë projektet e mëdha të interesit publik, me qëllim ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, siç janë projektet infrastrukturore, të energjisë së ripërtëritshme, minierave, zhvillimin e sektorit privat nëpërmjet financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe mbështetjen e investimeve të huaja direkte”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar nga përfaqësuesit e kësaj Banke që mbështetja e tyre për ta ndihmuar Kosovës të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në këtë takim u përmenden edhe masat që ka ndërmarrë vendi për ta rishikuar legjislacionin në vend, në mënyrë që t’i ndihmohet sa më shumë sektorit privat, duke evituar pengesat burokratike.

Krahas projekteve në infrastrukturë dhe në energji, në këtë takim u theksua edhe rëndësia e zhvillimit të projekteve në sektorin e ujërave, minierave dhe telekomunikacionit.

Kryeministri Haradinaj, potencoi edhe rëndësinë që kanë projektet që janë prezantuar në samitin e vitit të kaluar të BERZH-it, disa nga të cilat janë shumë afër implementimit.

Drejtorët e Bordit të BERZH-it, nga ana e tyre, konfirmuan gatishmërinë e këtij institucioni ndërkombëtar të vazhdojë përkrahjen e ekonomisë së Kosovës dhe punës se qeverise ndaj reformave dhe përmirësimin e jetës se qytetarëve.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza si dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)