16 Janar 2025

Kosova e para në rajon për rritje ekonomike

Prishtinë, 18 dhjetor - Banka Botërore ka paraparë që Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Europën Juglindore edhe gjatë vitit 2013, dhe sipas parashikimeve kjo pritet të jetë 3.3 për qind.

Ekonomitë e kombinuara të gjashtë vendeve në Evropën Juglindore do të pësojnë rënie prej 0.6 përqind në vitin 2012 dhe do të përballen me rreziqe të vështira në vitin 2013, me një rritë të parashikuar ekonomike prej 1.6 përqind, thotë një raport i ri i Bankës Botërore Raporti i rregullt ekonomik për Evropën Juglindore i publikuar sot.

Raporti i rregullt ekonomik për Evropën Juglindore (SEE RER) mbulon gjashtë vende (SEE6) – Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, IRJ e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbi – dhe parasheh që shtegu drejt një rimëkëmbjeje të qëndrueshme do të jetë, në rastin më të mirë, i mundimshëm dhe i ngadaltë në vitin 2013 dhe me rreziqe të konsiderueshme.

Mes reve në horizont për vitin 2013 ndodhen edhe ndikimet globale të “shkëmbit fiskal” të mundshëm në SHBA, rimëkëmbja e pasigurt e Eurozonës dhe çmimet e larta të artikujve –rreziqe ndaj të cilave secila nga gjashtë vendet e EJL është shumë të prekshme. Rreziku i një goditjeje të re të çmimeve të ushqimit mundet po ashtu të keqësojë varfërinë dhe të ushtrojë trysni mbi klasën e mesme.  

Në këtë pasiguri, Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi në veçanti kanë nevojë të insistojnë më shumë në zbutjen e deficitit fiskal dhe në uljen e borxheve publike, madje edhe në kohën kur duhet të vazhdojnë të përmirësojnë klimën e investimeve dhe reformën e tregjeve të punës dhe të sektorit publik.

Në të gjitha gjashtë vendet e EJL, pagesat e prapambetura në sektorin publik paraqesin sfidë të veçantë për menaxhimin fiskal dhe sektorin privat dhe ka agjenda të papërfunduara të reformës strukturore.

“Në këtë mjedis të brishtë, qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet të ndjekin reformat që e përmirësojnë atë për rritë ekonomike afatgjate dhe vende të punës,” Željko Bogetić, ekonomist i lartë i Bankës Botërore dhe koordinator i politikave ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe autor kryesor i Raportit SEE RER, i treti me radhë që botohet çdo dy vjet, thotë:

“Ajo që kërkohet së pari dhe para së gjithash është një reformë më intensive e politikave për të ulur borxhet publike dhe për të shpejtuar reformat strukturore, sidomos në administrimin e sektorit publik, në klimën e investimeve dhe në tregjet e punës.”

Në vitin 2012, përkeqësimi i kushteve të jashtme, ndikimi i dimrit të ashpër në aktivitetet ekonomike dhe një ngritje e vazhdueshme e papunësisë ka pasur një ndikim në konsum, investime dhe eksport, shpjegon Raporti.

Ai po ashtu vë në pah se kërcënohen edhe rimëkëmbja e kredive dhe konsolidimi fiskal, përderisa kreditë joperformuese (e këqija) janë sërish në rritje. Si rrjedhojë, si brenda ashtu edhe jashtë rajonit, mjedisi është bërë edhe më i vështirë për t’u zhvilluar në të dhe kompromiset e nevojshme të politikave për të stabilizuar ekonomitë dhe për të rimëkëmbur rritën ekonomike janë më të vështira.

Raporti thekson se duke qenë nën trysni nga mjedisi i jashtëm, nga një ekonomi më konkurruese globale dhe nga të hyrat joadekuate, qeveritë e gjashtë vendeve të EJL janë në kërkim të mënyrave për të  përmirësuar efikasitetin, për të përforcuar infrastrukturën, për të reformuar tregjet e punës dhe për të joshur investimet e huaja të drejtpërdrejta (FDI), për të rindërtuar bazën e tyre të eksportit dhe për të siguruar financime.

Disa vende kanë përmirësuar klimën e tyre për investime dhe kanë  shënuar ngritje në listën globale të të Bërit Biznes.

Por, pa reforma të tjera të tregjeve të punës dhe pa investime të konsiderueshme në infrastrukturë, sidomos në energji, do të jetë e vështirë të zbutet papunësia, të përmirësohet konkurrenca dhe të arrihet rritë e fortë ekonomike.

Intensifikimi i procesit të privatizimit është  një mundësi (duke u mbështetur në mësimet e nxjerra nga e kaluara, qofshin ato të mira apo të këqija) që  qeveritë janë duke e konsideruar përherë e më shumë si pjesë e një “vale të dytë ose privatizimit” – si përpjekje e përgjithshme për të lehtësuar kufizimet financuese dhe për të përmirësuar konkurrencën.

Andaj, qeveritë e gjashtë vendeve të EJL janë në kërkim të burimeve të kapitalit, jo vetëm brenda vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) por edhe tek vendet me burime të pasura dhe me një klasë të mesme në rritje si Turqia, Rusia, Kina dhe Azerbajxhani.

Për të qenë të suksesshme, privatizimet e reja duhet të mbështeten në mësimet e nxjerra nga përvoja, përfshirë edhe rëndësinë jetike të transparencës.

Raporti vë në pah se nëse materializohen këto reforma të përshpejtuara, mbështetja e jashtme –  e bashkërenduar mirë dhe që përqendrohet në rajonin si tërësi – nga BE-ja dhe nga institucionet e tjera financiare ndërkombëtare globale do të mund të lehtësonte kalimin në një rritë më të qëndrueshme në një periudhë afatmesme.

Raporti është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë, Zhvillimet e fundit, perspektiva dhe sfidat e politikave, diskuton një varg çështjesh si mjedisi i jashtëm që karakterizohet nga recesioni në Eurozonë dhe rreziqet e reja globale, zhvillimet e fundit dhe çështjet e politikave në vendet e Ballkanit Perëndimor; tregjet e punës, tregtia dhe borxhet e jashtme, politikat fiskale, sektori financiar, mjedisi afarist, privatizimi dhe infrastruktura e energjisë.

Pjesa e dytë, Menaxhimi i ndjeshmërisë ndaj goditjeve nga çmimet e ushqimit në gjashtë vendet e EJL diskuton ndikimin në rajon nga rritja e mundshme e çmimeve të ushqimit. Ai po ashtu ofron disa rekomandime specifike për secilin vend në mënyrë që të përgatiten më mirë për një goditje të mundshme nga çmimet e ushqimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)