Kosova e Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për pensionet
Podgoricë, 17 dhjetor - Sot në Podgoricë, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe homologu i tij nga Qeveria e Malit të Zi, Predrag Boskovic, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës për pension për qytetarët e të dyja vendeve.
Kjo marrëveshje rregullon njohjen dhe konfirmimin e stazhit të punës për shtetasit e Kosovës që kanë punuar në Malin e Zi dhe anasjelltas, dri më 31.12.1998.
Ministrat Rasic e Boskovic shprehën gatishmërinë për bashkëpunimin e ndërsjellët në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi bashkëpunim ky që do të ndikoj pozitivisht në përkujdesjen institucionale dhe mirëqenien e qytetarëve të të dyja vendeve.
Kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë punuar deri në këtë periudhë në Mal të Zi dhe për ata qytetarë të Malit të Zi që kanë punuar në Kosovë, për të realizuar të drejtën në shfrytëzimin e pensionit.