Kosova e Lukesemburgu angazhohen të luftojnë kundër varfërisë
Prishtinë, 18 tetor - Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë u miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, dhe Nisma për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut për zbatimin e Marrëveshjes Bilaterale për Bashkëpunim Zhvillimor.
Përmes kësaj marrëveshje, në kuadër të kornizës së bashkëpunimit për zhvillim, të dyja palët angazhohen të luftojnë kundër varfërisë dhe të zbatojnë programet dhe projektet zhvillimore që kanë për qëllim të plotësojnë nevojat e grupeve më të cenueshme të popullsisë.
Ky memorandum i mirëkuptimit rregullon zbatimin e marrëveshjes bilaterale për bashkëpunim zhvillimor mes Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, duke përcaktuar sektorët prioritar që mbështeten me këtë marrëveshje, siç janë shëndetësia, arsimi dhe aftësimi profesional, forcimi i shoqërisë civile kosovare dhe asistencë teknike në përputhje me procesin e Kosovës për integrim evropian, etj.
Me vendim të kabinetit qeveritar është autorizuar zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi që të nënshkruaj marrëveshjen dhe memorandumin në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Është aprovuar edhe vendimi mbi kursimet e deklaruara nga organizatat buxhetore, ndarjet e mjeteve financiare buxhetore, harmonizimet e brendshme buxhetore për vitin 2016, me qëllim të ngritjes së efikasitetit në ekzekutimin e buxhetit dhe përmbylljes së vitit fiskal 2016.