19 Nëntor 2024

Kosova e Hungaria marrëveshje për parandalimin e evazionit fiskal

Prishtinë, 3 tetor - Në Ministrinë e Financave sot u nënshkrua marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë.

"Nënshkrimi i Marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalet  ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit mik - Republikës së Hungarisë për Kosovën është një moment i rëndësishëm dhe bëhet në vazhdën e bashkëpunimit shumë të mirë në mes të dy shteteve tona jo vetëm në planin ekonomik por edhe në segmentet tjera", ka thënë sot ministri i Financave Besim Beqaj.

Marrëveshja  e nënshkruar nga  ministri i Financave, Besim Beqaj dhe  ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla, u cilësua shumë e rëndësishme për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

”Përmes kësaj Marrëveshjeje ne synojmë që të rrisim bashkëpunimin ekonomik, tregtar, investimet por edhe në fushat tjera, dhe duke krijuar kushte të barabarta të trajtimit ndërmjet personave vendor dhe të huaj qofshin ata persona juridik apo fizik. Të gjitha këto masa ndikojnë edhe në drejtim të krijimit të një ambienti më të favorshëm për ngritjen e nivelit të Investimeve të Huaja Direkte, por natyrisht  duke mbrojtur edhe të hyrat bazë të të dy Qeverive, tha  ministri Beqaj”.

Sipas të parit të Ministrisë së Financave kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme  për Kosovën dhe në këtë formë dëshmohet edhe përkushtimi për të quar përpara proceset integruese.

“Ajo paraqet edhe një mjet shtesë ligjor, të fortë dhe të sigurt për të gjithë investitorët potencial të Hungarisë që planifikojnë për të investuar në Kosovë.  Më parë ne kemi pasur edhe një Marrëveshje në mes të dy vendeve në fushën e bashkëpunimit doganor e cila po ashtu ndër të tjerat përfshin aspektet që kanë të bëjnë me koordinimin e bashkëpunimit rreth deklarimit real të të dhënave për mallrat në eksport dhe import e cila ka impakt të madh në luftimin e evazionit fiskal”, tha ministri Beqaj.

Ministri i Financave falënderoi ambasadorin hungarez Balla dhe Qeverinë e Hungarisë për angazhimin e përbashkët në realizimin e kësaj Marrëveshjeje, por edhe për bashkëpunimin e deritashëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duke hyrë në procesin e rëndësishëm të kësaj Marrëveshjeje me shtetin mik dhe të respektuar të Hungarisë, e cila është dëshmuar si përkrahëse për shtetin e Kosovës, vlerëson këtë si hapje të një kapitulli të ri të bashkëpunimit. Pas kësaj ne do të procedojmë me procedurat administrative të ratifikimit të saj dhe besojmë se këto do të finalizohen në një afat sa më të shkurtër”, tha kreu i Ministrisë së Financave.

Ambasadori i Republikës së Hungarisë Balla tha se në vitet e fundit marrëdhëniet politike në mes të dy vendeve  kanë arritur në një nivel të lartë dhe për fat të keq ekonomia shkon më ngadalë.

“Besoj se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje kemi bërë një hap përpara për të ndërtuar kornizën rregullative që ndihmon kontaktet ekonomike. Për fat të mirë marrëdhëniet tona janë shumë të mira, kemi marrëveshje ndërmjet odave ekonomike, por mbetet edhe shumë për të bërë në mes dy qeverive dhe në mes  kompanive kosovare dhe hungareze”. 

Ai shprehu besimin që pasi  është kryer pjesa e obligimeve ndërshtetërore në mes të dy vendeve investimet hungareze do të shtohen dhe  do të shtohen edhe kontaktet në mes kompanive të të dyja vendeve dhe do të arrihet nivel më i lartë i këmbimit tregtar se sa 35 milionë euro që ishin vitin e kaluar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)