Kosova e gatshme të fillojë Regjistrimin me 1 prill
Prishtinë, 30 mars - Komiteti Drejtues i Fondit të Mirëbesimit për Regjistrimin e Popullsisë ka mbajtur takimin e radhës në prag të fillimit të procesit të Regjistrimit.
Në cilësinë e kryetarit të Komitetit Drejtues te këtij Fondi, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka përshëndetur të pranishmit, si dhe i ka njoftuar ata shkurtmisht mbi takimin që ka pasur me drejtorin e EUROSTAT-it, i cili njëkohësisht udhëheq dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
Me këtë rast ministri Yagcilar ka thënë se "Vizita e Everaers dhe vlerësimi pozitiv i EUROSTAT-it dhe IMO-së për përgatitjet dhe punën që është bërë kanë qenë pozitive dhe shenjë e qartë se Kosova është e gatshme të fillojë Regjistrimin me 1 prill 2011".
Kjartan Bjornson në emër të Zyrës Ndërlidhëse të Komisonit Evropian ka përgëzuar Entin e Statistikave të Kosovës dhe të gjithë ata që kanë kontribuar dhe kanë punuar për të rrumbullakësuar përgatitjet e bëra, përfshirë këtu dhe donatorët e tjerë që e kanë mbështetur këtë projekt.
Po ashtu, ai ka vlerësuar kontributin e ministrit Yagcilar dhe ministrave paraprak në krye të MAP-it, që kanë qenë të përkushtuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare të përgatitjeve të Regjistrimit në mënyrë që të realizohet me sukses projekti i Regjistrimit.
Ai gjithashtu e ka vlerësuar vizitën e drejtorit të EUROSTAT-it si një konfirmim të suksesit të arritur deri më tani.
Sipas procedurave të rregullta në Komitetin Drejtues është raportuar mbi fazën ku ndodhen përgatitjet e Regjistrimit dhe është vlerësuar se gjithçka është gati që Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011 të fillojë me 1 Prill.
Në takim është theksuar se Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe ESK kanë bërë gjithçka ka qenë e mundur që të ofrojnë informacionin e duhur dhe të bëjnë përgatitjet e nevojshme që të gjithë rezidentët t'i përgjigjen këtij projekti të rëndësishëm.