Kosova duhet të krijojë Zonë të veçantë Ekonomike Zvicerane
Prishtinë, 20 janar - “Kosova dhe Zvicra, suksesshëm kanë arritur të mbajnë dhe avancojnë marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe politike”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me Stefan Sarkany, President i Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe shërbimeve Zvicër – Kosovë.
Më tej, kryeministri në detyrë, Haradinaj tha se pas vendimit për Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane dhe Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman, është koha e krijimit të Zonës Ekonomike Zvicerane, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe partneritetit mes dyja vendeve, për të cilën ide do të nisin përgatitjet e nevojshme.
Gjatë takimit u bisedua edhe për krijimin e hapësirës së përfaqësimit të diasporës tonë në Zvicër, në Parlamentin e Kosovës, si një veprim i duhur dhe i nevojshëm.
“Zvicra është një nga vendet mike të Kosovës që ka ndihmuar shumë në shtetkrijim dhe shtetndërtim dhe tani ky raport, duhet të avancohet në marrëdhënie konkrete, profesionale bilaterale, në të mirë të ekonomisë së vendit dhe diasporës tonë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.
Kryeministri në detyrë Haradinaj, vlerësoi se është me rëndësi që të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, përmes aktiviteteve konkrete që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik.
“Kosova ka krijuar klimë të mirë për investimet e huaja direkte, pasi ka miratuar edhe Ligjin për Investime Strategjike”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke ftuar investitorët zviceranë, po ashtu edhe afaristët shqiptarë që aktivitetin e tyre biznesor e ushtrojnë në Zvicër, që të investojnë në Republikën e Kosovës.