06 Nëntor 2024

Kosova duhet të kërkojë kthimin e pensioneve nga Serbia

Prishtinë, 25 prill - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, organizoi tryezën “Statusi i fondit pensional të Kosovës në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi”, një diskutim me deputetë të parlamentit të Kosovës, përfaqësues të akademisë, shoqërisë civile dhe medias.

Ne hapje te tryezës, Jeta Krasniqi nga KDI theksoi se KDI-ja ka punuar gjatë dy viteve të fundit me Kuvendin e Kosovës për të fuqizuar rolin e saj mbikëqyrës ndaj ekzekutivit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku ka punuar për së afërmi me komisionet parlamentare për të ngritur dhe trajtuar çështjet e rëndësishme në dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, KDI me Komisionin ka iniciuar realizimin e një hulumtimi rreth fondit pensional të Kosovës në kontekstin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, Dr. Artan Mustafa, autor i hulumtimit, theksoi se hulumtimi trajton organizimin e politikave pensionale në ish-Jugosllavi, obligimet e marra nga shtetet që kanë dal nga Federata Jugosllave, si dhe ofron modalitetet e mundshme për zgjidhjen e kësaj çështje nga Republika e Kosovës si pjesë e marrëveshjes së suksesionit në mes Kosovës dhe Serbisë. Mustafa gjithashtu nënvizoi se reforma pensionale duhet të synojë krijimin e një sistemi të unjësuar në tërë Republikën e Kosovës duke u bazuar ne sistemin e solidaritetit të njohur si ‘Pay-as-you-go’, që do të nxis interesin e komunitetit serb të bëhet pjesë e sistemit.

Kryetarja e komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Besa Baftiu, theksoi se hulumtimi ofron informacione të thukta lidhur me fondin pensional të Kosovës. Baftiu shtoi se qeveria duhet të ndalojë praktiën e anashkalimit të Kuvendit, siç ka bërë në vazhdimësi, duke i dhënë kështu mundësi deputetëve për të kontribuuar në këto çështje.

Kurse, Bahri Xhaferi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka theksuar se është e rëndësishme të nënvizohet se sistemi pensional në ish-Jugosllavi ka qenë i llojit të solidaritetit ndërmjet gjeneratave, gjë që nuk sjellur grumbullim të një fondi pensional. Gjithsesi shteti i Serbisë ka obligime ndaj pensionisteve të Kosovës të cilat rrjedhin nga suprimimi i të drejtave të punëtorëve në Kosovë gjatë viteve të 90ta.

Riza Shala nga Sindikata e Pensionistëve ka thënë se statusi i pensionistëve ka qenë shumë më i avancuar para vitit 1989. Shala gjithashtu nënvizoi se nuk ka ekzistuar një fond pensional të cilin pretendohet ta ketë marrë Serbia. Mirëpo, Shala shtoi se Serbia e ka marrë përgjegjësinë për të kryer obligimet ndaj pensionistëve të Kosovës në kohën kur i ka suspenduar të drejtat e BVI-së, në fillim vitet e ’90-ta, duke e përllogaritur këtë obligim të Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës deri në 2 miliard euro.

Ndërsa Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve, ka shprehur pakënaqësi me trajtimin e këtij problemi në dialogun me Serbinë. Kajtazi theksoi se përkundër faktit që dialogu teknik është thënë të ketë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, çështja e pensioneve, që është një nevojë urgjente e një numri të madh të kosovarëve, nuk është trajtuar fare. Kajtazi kërkoi kushtëzimin e dialogut Kosovë-Serbi me këtë zgjidhjen e kësaj çështjeje. Gjithashtu, Kajtazi ka theksuar nevojën urgjente për reformimin e skemës pensionale.

Profesori universitar Riza Smaka, ka vlerësuar se qeveria nuk ka bërë as atë që ka mundur dhe as atë që është dashur të bëjë në lidhje me politikat pensionale në përgjithësi. Lidhur me problemin e fondit pensional të Kosovës nga vitet e ’90-ta, Smaka ka thënë se ekziston një vendim i formës së prerë nga Gjykata Europiane për të drejtat e njeriut, e cila e obligon Serbinë që t’i paguajë pensionet pensionistëve të Kosovës që arrijnë vlerën e afro 2 miliard euro. Tutje, Smaka theksoi se Kosova nuk duhet të kërkojë koncesion për këtë çështje por të shkojë me kërkesë të prerë në bisedime që Serbia ta kryejë këtë obligim.

Në këtë diskutim po ashtu u theksua se çështja e pensioneve nuk është adresuar asnjëherë në mënyrë serioze në dialogun e Brukselit dhe u kërkua që ky problem të trajtohet në mënyrë urgjent dhe me prioritet në dialog. 

Ky diskutim organizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë dhe rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbia” që financohet nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)