Kosova do të përfitojë miliona grante investuese nga SHBA
Prishtinë, 16 dhjetor - Në një deklaratë për media Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka njoftuar se Kosova është përzgjedhur nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për të përfituar grant të gjerë investimi nga kjo agjenci.
\"Në një bisedë telefonike me shefen ekzekutive të MCC-së, Dana J. Hyde, sapo mu kumtua se vendimi për zhvillimin e programit të ndihmës për Kosovën është marrë sot në takimin e Bordit të kësaj agjencie, që udhëhiqet nga sekretari amerikan i shtetit, John Kerry\", ka theksuar ajo.
Jahjaga ka thënë se Kosova është përzgjedhur të zhvillojë të ashtuquajturin programin Kompakt, grant disa vjeçar dhe i gjerë i investimit, që do të mundësojë transformimin e disa sektorëve ekonomik të vendit, krijimin e vendeve të reja të punës, uljen e varfërisë dhe luftën kundër korrupsionit.
\"Në të kaluarën, shtetet e përzgjedhur për programin kompakt kanë përfituar disa qindra milionë dollarë. Shuma të cilën do ta përfitojë Kosova do të varet nga bashkërendimi i institucioneve për të prezentuar planprograme për sektorë të caktuar që përmes këtij granti për zhvillim duam t\'i reformojmë\", theksoi ajo
Procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së është udhëhequr nga Zyra e Presidentes prej shkurtit të këtij viti. Programi dhe synimet e asistencës do të përcaktohen në muajt në vijim ndërmjet Kosovës dhe MCC-së.
\"Dëshiroj të falënderoj popullin dhe qeverinë amerikane për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës.\"
\"Falënderoj gjithashtu kongresistin dhe mikun e madh të Kosovës, Eliot Engel, dhe zyren e tij për përkrahjen që i ka dhënë kualifikimit të Kosovës për ndihmën e MCC-së.\"
\"Mbes e përkushtuar në thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe MCC-së që do të ofrojë mundësi të jashtëzakonshme për gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe rritje të qëndrueshme ekonomike\", theksoi Jahjaga.
Përzgjedhja e Kosovës për Programin Kompakt të investimeve sipas saj ka qenë e mundur falë përparimit që vendi ynë ka treguar në zhvillimin demokratik, qeverisjen e mirë dhe reformat në sundimin e ligjit.
Vazhdimi i kësaj ndihme në vitet në vazhdim do të varet ekskluzivisht nga indikatorët pozitiv të vendit tonë, zhvillimi demokratik dhe luftimi i korrupsionit.
Vendimi i sotëm vjen si rezultat i raportit të muajit të kaluar të MCC-së, ku Kosova për herë të parë ka kaluar shumicën e indikatorëve, duke shënuar përparim të theksuar në reforma prioritare dhe qeverisje demokratike.
Kosova këtë vit ka përparuar në rangimin e të drejtat demokratike, kryesisht si rezultat i mbarëvajtjes së mirë të zgjedhjeve të vitit 2013 dhe 2014. Në luftën kundër korrupsionit, përmirësimi i bashkërendimit të agjencive të sundimit të ligjit i ka mundësuar Kosovës që më në fund të kalojë indikatorin e kontrollit të korrupsionit. Sipas Treguesve Botëror të Qeverisjes të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar kontrollin e korrupsionit për 16%, krahasuar me vitin e kaluar.
Në muajt në vazhdim, Kosova, në partneritet me MCC, do të fokusohet në hartimin e programit të asistencës dhe përzgjedhjen e projekteve që mënjanojnë pengesat për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.