Kosova do të ketë zërin e vet në Bordin e BERZh-it
Prishtinë, 26 shkurt - Zëvendësministri i Financave Ramadan Avdiu sot ka pritur në takim një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili kryesohej nga Eoin Ryan, drejtor ekzekutiv i Konstituencës së Irlandës dhe Danimarkës në BERZh.
Në këtë takim zëvendësministri Avdiu njoftoi delegacionin e BERZh-it për zhvillimet e fundit në fushën ekonomike dhe financiare.
Ai shfrytëzoi rastin që ta falënderoj delegacionin si dhe qeveritë e tyre për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në BERZh.
Zëvendësministri Avdiu theksoi se Është inkurajues fakti se menjëherë pas anëtarësimit, janë intensifikuar vizitat e Misioneve të BERZh -it në Kosovë, dhe kjo është në funksion të rritjes së bashkëpunimit dhe eksplorimit të mundësive investuese në Kosovë.\"
\"Presim që sektori privat të jetë udhëheqës i rritjes ekonomike dhe në këtë kontekst, presim që investimet e BERZh-it në të ardhmen të jenë të orientuara më shumë në sektorin privat dhe në ndryshimet strukturore që janë duke ndodhur.
Ai më tej shtoi Ne po ashtu presim investime të konsiderueshme në sektorin e energjisë, minierave, telekomunikacionit e në sektorë të tjerë gjithashtu edhe përmes pjesëmarrjes nga jashtë, dhe në këtë rast e shohim BERZh-in si një mundësi për burime shtesë të financimit.
Ndërsa, në anën tjetër drejtori ekzekutiv i Konstituencës së Irlandës dhe Danimarkës Eoin Ryan, konsituencë e cila përfaqëson edhe Kosovën në Bordin Ekzekutiv të BERZH-it, u shpreh që Kosova do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme gjatë hartimit të strategjisë dhe do të ketë zërin e vet në Bordin e Drejtorëve të BERZH-it. Me këtë rast delegacioni i Kosovës u ftua që të marr pjesë në takimin vjetor të BERZH-it që mbahet në maj të këtij viti në Stamboll.