Kosova do ta ketë mbështetjen e Austrisë
Vjenë, 11 mars - Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Austri, sot u takua me Ministrin e Financave të Austrisë Hans Jӧrg Schelling dhe zyrtarë të lartë të shtetit të Austrisë.
Me këtë rast Ministri Hoti falënderoi Ministrin Schelling për pritjen dhe për mbështetjen e përhershme që shteti austriak i ka dhënë Kosovës si në aspektin politik dhe atë ekonomik.
Ministri Hoti e njoftoi homologun e tij austriak për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar planin zhvillimor të saj, i cili ka për qëllim që të siguroj rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ku në këtë plan të parë i jepet përparësi zhvillimit të sektorit privat, ku të gjitha bizneset trajtohen në mënyrë të barabartë.
Ministri Hoti dhe Ministri Schelling u dakorduan për inicimin e grupeve të përbashkëta punuese për përfundimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së eliminimit të tatimit të dyfishtë si dhe për zgjatjen e afatit të marrëveshjes mbi kredinë e butë që Qeveria e Kosovës ka me Qeverinë Austriake, si dhe rritjen e shumës së kësaj kredie.
Gjatë takimit u bisedua edhe për mundësinë e tërheqjes së investitorëve austriak që të investojnë në Kosovë.
Me këtë rast Ministri Hoti bëri të ditur se kushtet të cilat ofron Kosova janë të favorshme për investime dhe gjithashtu Qeveria e Republikës së Kosovës është duke bërë ndryshime të mëtutjeshme ligjore në favor të investitorëve në Kosovë.
Ndërsa, ministri i Financave të Austrisë Hans Jӧrg Schelling, falënderoi Ministrin Hoti për vizitën dhe për përkushtimin e tij në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy Ministrive, njëherit e përgëzoi për hapat që po merr Qeveria e Kosovës në lidhje me reformat në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe theksoi se Kosova do ta ketë mbështetjen e Austrisë në këtë proces të rëndësishëm zhvillimor.