Kosova dhe Turqia do të bashkëpunojnë në fushën e skemave sociale
Ankara, 5 dhjetor - Në vazhdën e vizitës së tij në Turqi, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, takoi Ministren e Familjes dhe Politikave Sociale të Republikës së Turqisë, Fatma Betyl Saja Kaja.
Temë diskutimi ishte shkëmbimi i përvojave të të dyja shteteve në fushën e shërbimeve dhe skemave sociale.
Ministri Reçica u njoftua nga ministrja Kaja për sistemin që ka ngritur Turqia lidhur me shërbimet dhe skemat sociale, e cila gjithashtu tregoi se kush janë përfitues të asistencës sociale nga këto skema.
Ajo theksoi se Turqia është një shtet social dhe vërtetë kujdeset për qytetarët e saj, mirëpo kriteret për të përfituar nga këto skema janë të përcaktuara mirë me ligj dhe mbikëqyren në mënyrë mjaft të rreptë.
Ministri Reçica dhe ministrja Kaja u dakorduan për të vendosur urat e bashkëpunimit përmes grupeve punuese që do të rezultojë me marrëveshje të dobishme dypalëshe.
Sistemi i integruar i të dhënave të qytetarëve që aplikojnë për përfitim nga skemat sociale të financuara nga shteti, u konstatua se është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e suksesshëm të funksionimit të kontrolluar të dhënies së ndihmës, kategorive të ndryshme sociale.
Të dy ministrat u pajtuan për të vazhduar bashkëpunimin në këtë fushë dhe ky bashkëpunim të jetë më intensiv, me ç’rast ministri Reçica e ftoi ministren Kaja për një vizitë zyrtare në Kosovë.