15 Nëntor 2024

Kosova dhe Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin

Prishtinë, 16 maj – Ministri i Financave të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministri i Financave të Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj, janë shprehur se dy vendet kanë bashkëpunim intensiv me qëllim krijimin e një klime të favorshme për sipërmarrjet në të dy vendet.

Deklaratë e përbashkët e Ministrit të Financave të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj , nga vizita zyrtare e ministrit Ahmetaj  në Prishtinë.

Ministria e Financave e Kosovës dhe Ministria e Financave e Shqipërisë, kanë një bashkëpunim intensiv me qëllim krijimin e një klime të favorshme për sipërmarrjet në të dy vendet.

Ne kemi arritur një numër marrëveshjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e një ambienti të favorshëm të të bërit biznes. Gjithashtu, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet me 3 qershor, do të nënshkruhen dy marrëveshje mjaft të rëndësishme në drejtim të unifikimit të tregjeve dhe lehtësimit të procedurave. Jemi dakorduar gjithashtu për ngritjen e grupeve teknike të përbashkëta të punës për shqyrtimin e propozimeve të reja.

U dakorduam që pas analizimit të të gjitha hapave, Porti detar i Durrësit të ketë procedura unike për eksportuesit nga Kosova , pra kjo të jetë ndalesa e vetme e bizneseve kosovare.

Një tjetër çështje e dakorduar është që shumë shpejt të bëhet njohja reciproke e të gjitha certifikatave dhe licencave të lëshuara nga autoritetet të shteteve përkatëse.

Në vlerësimin tonë një çështje mjaft e rëndësishme, me impakt të drejtpërdrejtë në shkëmbimet tregtare të zonave kufitare të dy vendeve, është që bizneseve që shtrihen në një zonë me rreze prej 20 km, t’u mundësohet shkëmbimi tregtar me procedurë të thjeshtësuar.

Puna e Doganës shqiptare në 24 në 7 dhe dakordimi për funksionimin e kanalit të gjelbër për kalimin e produkteve të freskëta është një hap konkret në bashkëpunimin tonë.  Një progres tjetër që është bërë në bashkëpunimin tonë është edhe tek çështja e licencimit të produkteve farmaceutike.

Krijimi i një zyre të përbashkët doganore është një pikë tjetër me të cilën ne sot bashkërisht u dakorduam që të punojmë intensivisht që të realizohet shumë shpejt. Çështja e kostos së qëndrimit në terminalet doganore është një shqetësim i sipërmarrjes, të cilin jemi duke e adresuar së bashku me ekipet tona në të dy Ministritë në mënyrë që të ofrojmë së shpejti një zgjidhje në favor të sipërmarrjes.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)