Kosova dhe Shqipëria duhet të rrisin bashkëpunimin ekonomik
Prishtinë, 10 janar - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) është shprehur se duhet të rritet bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
"Thellimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht atij në mes Kosovës dhe Shqipërisë është i një rëndësie kyçe drejt zhvillimit më të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve, të cilat përballen me një gjendje të brishtë dhe sfida sa i përket shpejtimit të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike", thuhet në komunikatën e Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ndërtimi i autostradës së Kombit, nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë si dhe i Protokollit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë-Shqipëri, përafruan këto dy vende më shumë se kurrë, duke nxitur kështu proceset integruese drejt Bashkimit Evropian. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, si një zë i fuqishëm i bizneseve, mbështet të gjitha proceset të cilat kanë për synim fuqizimin e bashkëpunimit të dyanshëm ndërmjet dy vendeve. Sidoqoftë, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me barrierat e vendosura kohë pas kohe nga të dyja vendet, e që janë në kundërshtim me përpjekjet për fuqizimin e një bashkëpunimi të shëndoshë ekonomik.
Oda Amerikane vlerëson se me vendosjen e barrierave tarifore dhe jotarifore nga të dyja anët e kufirit dëmtohen rëndë interesat e bizneseve të Kosovës dhe të Shqipërisë, njëkohësisht duke u penguar fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimi tregtar si dhe lëvizja e lirë e mallrave ndërmjet dy shteteve. Rrjedhimisht, u bëjmë thirrje qeverive të të dyja vendeve të ndërmarrin masat e duhura për eliminimin e barrierave reciproke dhe të përqendrohen në zbatimin e pakusht të dispozitave të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) e cila promovon vlerat kyçe në të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian për qarkullimin e lirë të mallrave. Krijimi i hapësirave të lira tregtare rajonale me numër më të madh konsumatorësh, do të ishte më atraktiv edhe për investitorët e huaj dhe një hap tutje drejt integrimit të shteteve të Gadishullit Ballkanik në Bashkimin Evropian.
Oda Ekonomike Amerikane kërkon harmonizim të legjislacionit për çështje tregtare apo doganore, që do të ishte hapi i parë i cili do të lehtësonte procedurat e shkëmbimeve tregtare dhe komunikimeve të bizneseve në të dyja vendet.
Duke marrë parasysh gjithashtu edhe deficitin e lartë tregtar me të cilin përballen dy vendet, është e domosdoshme që të gjinden mundësi për plotësimin e nevojave reciproke si dhe të krijohet një strategji drejt politikave më të favorshme për sektorin privat në të dyja vendet. Qeveritë duhet të orientojnë ekonomitë në mënyrë të tillë që të mos konkurrojnë njëra-tjetrën, por të plotësonin njëra tjetrën, gjë që do të sillte përfitime më të mëdha për të dyja vendet.
Për të përmbyllur, ftojmë qeveritë e të dyja vendeve që të angazhohen më fuqishëm dhe të tregojnë energji më të madhe për një bashkëpunim më të thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me më pak retorikë politike dhe patriotike, duke nisur kështu një epokë të re në të cilin vendkalimet kufitare nuk konsiderohen si pengesë por urë lidhëse në mes bizneseve të Kosovës dhe të Shqipërisë