Kosova dhe Maqedonia me projekte të përbashkëta infrastrukturore
Prishtinë, 29 tetor - Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, të enjten ka pritur në takim ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski.
Në këtë takim njoftues, ministrat e të dyja shteteve diskutuan rreth punëve të përbashkëta që do realizojnë shumë shpejt.
Abrashi tregoi se janë dakorduar për pikën e përbashkët kufitare që do të shkurtojë kohën e pritjes së qytetarëve dhe transportit të mallrave.
Pikë të përbashkët Kosovë-Maqedoni do të ketë edhe në transportin hekurudhor, për të elektrifikimin e së cilës do të konkurrojnë bashkë në fonde të Bashkimit Evropian.
Ministri kosovar bëri me dije se në Strezemir të Dragashit, infrastruktura rrugore nga ana e Republikës së Kosovës është duke përfunduar, kur edhe do të hapet pika e re kufitare me Maqedoninë e Veriut.
Krahas këtyre, Abrashi bëri me dije se janë në prag të fillimi të fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë dhe në bisedime të realizimit të projektit për gaz sjellësin.
Homologu i tij maqedonas, Blagoj Boçvarski, tregoi se janë duke punuar me plan dinamik në realizimin e pjesës së mbetur të autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila pritet të përfundojë në vitin 2022.
Ai tha se janë në fazën e parë të punimeve të kësaj autostrade në anën e tyre dhe kap shifrën 110 milionë euro.
Ky takim i paraprinë mbledhjes së përbashkët të të dyja qeverive, për konkretizim më të mirë të projekteve. Po ashtu të dy ministrat u dakorduan që ta krijojnë një ekip të përbashkët për realizimin e projekteve infrastrukturore në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.