Kosova dhe Maqedonia konkretizojnë bashkëpunimin ekonomik
Prishtinë, 23 korrik - Marrëveshjet e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë të arritura deri më tani është koha që të kalojnë në projekte konkrete, kështu ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli pas takimit me Ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Prishtinë.
Te dy ministrat konfirmuan gatishmërinë e të dyja vendeve që të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik edhe në të ardhmen dhe të hiqen të gjitha barrierat eventuale dhe bashkëpunimi të zhvillohet në frymën e ekonomisë së lirë të tregut dhe integrimit të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.
Kreu i MZHE-së tha se gjatë takimit është diskutuar avancimi i bashkëpunimit në mes të dy vendeve me theks të veçantë forcimin e kapaciteteve ekzistuese në fusha të ndryshme me prioritet energjinë dhe efiçiencën e saj, zhvillimin e infrastrukturës, sektorin e hekurudhave, minierave, shfrytëzimin e transportit, të thëngjillit, realizimin e studimeve te përbashkëta të fizibilitetit si ajo e sektorit të gazit në rajon dhe temat tjera të interesit bilateral.
Gjithashtu, ministrat Ismajli dhe Saraqini kanë shqyrtuar edhe mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve në mes të operatorëve të transmisionit si dhe realizimi i projekteve të përbashkëta që stimulojnë zhvillimin ekonomik.
Ministri Ismajli tha se janë të formuara grupet të cilat do të punojnë në lëmi të ndryshme si energjia,telekomunikacionit, bujqësia dhe të turizmit dhe sipas marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik, ekspertët do të takohen në vjeshtë dhe ti konkretizojnë hapat e mëtutjeshëm.
Nga ana e tij, Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini tha se intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik është një ndër prioritetet kryesore të dy qeverive dhe për këtë Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë kanë nënshkruar gjithsejtë 27 marrëveshje për bashkëpunim dhe atë në sfera të ndryshme.
Ministri Saraqini theksoi se me Ministrin Ismajli ka diskutuar në sferën e infrastrukturës energjetike, aplikimin për fonde ndërkombëtare në sferën e energjetikës, pra Maqedonia dhe Kosova të bëjnë projekte të përbashkëta në mënyrë që të thithim investime të huaja në këtë drejtim.
Temë e këtij takimi sipas Saraqinit ishte edhe fusha e minierave, ku ka projekte të shumta të përbashkëta, ndërsa shtoi se kompanitë nga Maqedonia dhe Kosova mund të bashkohen dhe të kërkojnë tregje të treta me qëllim që të rrisin eksportin e tyre dhe kjo do të ndikojë në rritjen e bruto prodhimit vendor.