Kosova dhe Mali i Zi bisedojnë për sigurimet sociale
Prishtinë, 26 shtator - Me ftesë të Ministrisë së Punës dhe Kujdesit Social të Malit të Zi, zv. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, me bashkëpunëtorë, po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Malit të Zi.
Zv. ministri Shurdhaj është pritur nga homologu i tij malazez, Jovo Pajoviq.
Gjatë takimit të Shurdhaj dhe Pajoviq është biseduar për mundësinë e fillimit të bisedimeve dypalëshe në mes të dy shteteve për sigurimet sociale.
Gjithashtu temë diskutimi ishte edhe forma e rregullimit të brendshëm të sistemit pensional, pagesa e kontributeve dhe stazhi i punës për qytetarët e të dyja vendeve që kanë punuar në Mal të Zi dhe anasjelltas.
Të dy palët janë pajtuar që sa më shpejtë që është e mundur të formohen grupet teknike për negocim të marrëveshjeve ndërshtetërore nga sferat që mbulojnë këto ministri.
Ky ka qenë takimi i parë që është zhvilluar në mes të MPMS dhe Ministrisë së Punës dhe Kujdesit Social të Malit të Zi dhe ka kaluar në një atmosferë mjaftë miqësore.
Jovo Pajoviq, për homologun e tij nga Kosova, z. Fatmir Shurdhaj shtroi edhe një drekë pune.