Kosova dhe Italia do të thellojnë bashkëpunimin ekonomik
Prishtinë, 22 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Angelino Alfano.
Gjatë takimit, kryeministri foli për progresin e Kosovës në shumë fusha, duke përfshirë fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.
Kryeministri Mustafa theksoi avancimin e rrugës eurointegruese, zhvillimin ekonomik si dhe aspekte të tjera të zhvillimeve në vend.
Duke vlerësuar rolin shumë të madh të Italisë për progresin e Kosovës, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për bashkëpunim me Italinë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekomomike dhe tërheqjen e investimeve.
Ministri i jashtëm italian, Angelino Alfano, vlerësoi të arriturat e deritashme të Kosovës, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Italisë.
Ministri Alfano, po ashtu, vlerësoi vizionin e qartë të Qeverisë së Kosovës për avancimin e progresit, duke shprehur gatishmërinë e Italisë për zgjerimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve me Kosovën.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për projekte konkrete në fushën e bashkëpunimit ekonomik, mbajtjen e Forumit Ekonomik në Romë më 31 janar, për proceset eurointegruese, për dialogun e Brukselit si dhe për luftën kundër terrorizmit.