20 Nëntor 2024

Kosova dhe Iowa fuqizojnë lidhjet ekonomike

Prishtinë, 8 korrik - Lidhjet ekonomike në mes Kosovës dhe Iowa-s do të fuqizohen edhe më shumë në të ardhmen e afërt me marrëveshjet e para biznesore që priten të nënshkruhen në mes të kompanive kosovare dhe atyre amerikane nga Iowa.

Ky ishte mesazhi kryesor i Guvernatorit të Iowas, Terry Branstad në takimin e sotëm me anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Të pranishëm në takim ishin gjithashtu edhe Ambasadorja Amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, Ambasadori i Kosovës në Amerikë, Akan Ismaili dhe Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneral Timothy Orr,  Atasheu Ushtarak i Kosovës në SHBA, Gjeneral Brigade Xhavit Gashi.

Në fjalën e tij hyrëse, Presidenti i Bordit të Drejtorëve të OEAK , Erolld Belegu, falenderoi Guvernatorin Barnstad dhe delegacionin nga Iowa për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve me Kosovën në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ekonomike.

Në emër të Odës Amerikane ai shprehi gatishmërinë e tij të ndihmojë lidhjet e mëtutjeshme në mes bizneseve kosovare dhe atyre të Iowas.

Në anën tjetër, Guvernatori i Shtetit të Iowa-s, Terry Branstad, theksoi se Kosova ka potencial të lartë për zhvillim dhe ai i siguroi të gjithë të pranishmit që bashkëpunimi në mes dy shteteve të binjakëzuara do të tregoj rezultate pozitive dhe të dyja vendet do të kenë përfitime nga kjo marrëdhënie.

Ai gjithashtu shtoi se marrëveshjet e binjakëzimit janë një hap më tutje drejt rritjes së aktiviteteve ekonomike dhe tregtare në mes këtyre dy vendeve.

Guvernatori Branstad tha se falë ligjeve të favorshme për bizneset, Iowa tashmë nuk është më e njohur vetëm për bujqësi, por edhe për fusha të tjera, duke përfshirë financat dhe teknologjinë informative.

Ambasadorja Amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson rikonfirmoi mbështjetjen e saj ndaj anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane dhe bizneseve amerikane, si dhe inkurajoi Odën Amerikane të vazhdojë angazhimin e saj drejt përmirësimit të ambientit afarist në Kosovë.

Për më shumë, Ambasadorja Jacobson shprehi besimin e saj se bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Iowa-s do të rezultojë i frytshëm falë praktikalitetit të popullit amerikan si dhe gatishmërisë dhe përkushtimit të kosovarëve, duke shtuar se është kënaqësi që të shoh një bashkëpunim të këtillë ndërmjet përfaqësuesve të të dyja vendeve.

Ambasadori i Kosovës në Amerikë, Akan Ismaili tha se është mjaft entuziast sa i përket potencialeve që sjell binjakëzimi në mes Kosovës dhe Iowa-s, duke shtuar se përkundër faktit se u arrit marrëveshja për binjakëzim nga institucionet e të dyja vendeve, sektori privat duhet të marr përgjegjësinë për forcimin e mëtutjeshëm të këtyre marrëdhënieve.

Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, përfaqësuesit e bizneseve nga Shteti i Iowas patën një varg takimesh me bizneset Kosovare të sektorëve të bujqësisë, transportit dhe distribuimit, ku pritet që të arrihen marrëveshjet e para biznesore me kompanitë Kosovare nga Industria e prodhimit të mishit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)