Kosova dhe Gjermania nënshkruan protokollin e bashkëpunimit
Prishtinë, 25 shtator - Qeveria e Gjermanisë për 14 vite ka mbështetur Kosovën me 420 milionë euro të destinuara për përkrahje të zhvillimit ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, u tha sot gjatë takimit të delegacioneve të të dy vendeve në kuadër të bisedimeve për protokollin e bashkëpunimit politiko zhvillimor në mes të dy vendeve.
Qeveria e Kosovës ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë Gjermane në sektorë të ndryshëm, por në veçanti në atë të zhvillimit ekonomik dhe të ndërtimit të institucioneve demokratike. Për 14 vite, vlera e bashkëpunimit ka tejkaluar shumën 420 milionë euro, tha ministri i Financave Besim Beqaj, pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim politiko zhvillimor në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.
Ndryshe kjo është hera e pestë me radhë që u mbajtën bisedimet ndërqeveritare për bashkëpunim politiko-zhvillimor në mes të Gjermanisë dhe Kosovës.
Me këtë rast Qeveria Gjermane shtetit më të ri në Evropë i ka siguruar mbështetjen e mëtutjeshme për afrimin me BE-në. Në qendër të bashkëpunimit mbesin mbështetja ekonomike dhe e punësimit, qeverisja e mirë, furnizimi me energji dhe ujë, si dhe arsimi.
Me këtë rast ministri Beqaj tha se me këtë protokoll është paraparë ndihmë konkrete në promovimin e punësimit, zhvillim të instrumenteve financiare për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mbështetje në procesin e integrimit evropian, mbështetje komunave në menaxhimin e mbeturinave, përmirësimin e sektorit të arsimit bazik, përmirësimin e konkurueshmërisë në sektorin e bujqësisë, dhe mbështetjen për Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Përfaqësuesit e shtetit gjerman theksuan se Kosova ka një papunësi prej rreth 40 për qind. Për të avancuar zhvillimin ekonomik Kosova ka nevojë për një ekonomi private inovative. Për këtë arsye Gjermania e mbështet Kosovën në zhvillimin e zingjirëve të shtimit të vlerës në sektorë të veçantë, me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës.
Pikërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë ato, të cilat krijojnë vende të reja pune, por kanë nevojë për qasje në kredi. Nga këtu niset bashkëpunimi zhvillimor gjerman dhe mbështet themelimin e një fondi të garantimit të kredive, për të siguruar kreditë e tilla. Një parakusht për zhvillim ekonomik përbëjnë, përveç kësaj, edhe raportet e qarta pronësore, thanë përfaqësuesit e Qeverisë Gjermane .
Bashkimi Evropian do të fillojë së shpejti negociatat për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me Kosovën dhe në këtë drejtim Gjermania e këshillon Ministrinë e Integrimeve Evropiane në ngritjen e kapaciteteve.
Synime të tjera i kontribuojnë afrimit të Kosovës me BE-në, si për shembull ndërtimi i një impjanti për pastrimin e ujërave të zeza, financimi i një menaxhimi të mbeturinave në nivel komunal, si dhe modernizimi i rrjetit të rrymës, thanë përfaqësuesit e Gjermanisë në konferencën për media.
Bisedimet ndërqeveritare gjermano-kosovare për bashkëpunim politiko-zhvillimor mbahen çdo vit.
Në emër të Republikës së Kosovës negociatat janë udhëhequr nga ministri i Financave Besim Beqaj, ndërsa në emër të Republikës Federale të Gjermanisë nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blomeyer dhe udhëheqësja e Divizionit për Bashkëpunim me Evropën Juglindore dhe Kaukaz në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Annette Seidel.