Kosova dhe Gjermania nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim teknik
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe zëvendësambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Christina Gehlsen.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, duke falënderuar zëvendësambasadoren Christina Gehlsen dhe stafin e saj për bashkëpunimin e ofruar gjatë të gjitha këtyre proceseve, bëri të ditur se këto marrëveshje e fuqizojnë edhe më tutje bashkëpunimin e suksesshëm që kemi ndër vite si dy Qeveri.
Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë përbën njërin ndër partnerët kryesor i cili mbështet Kosovën përmes asistencës financiar dhe teknike në shumë sektor me rëndësi jetike për vendin. Mbështetja e vazhdueshme e partnerëve strategjik, siç është shteti gjerman, kanë mundësuar zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës."
"Volumi i mbështetjes financiare dhe teknike i Qeverisë Gjermane që nga viti 1999 deri në vitin 2015 arrin vlerën në 450 milionë euro, të përdorura për implementimin e projekteve të ndryshme tejet të rëndësishme, shtoi Ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se Në total, mbështetja e Qeverisë Gjermane për këto dy vite, 2014 dhe 2015, përmes asistencës teknike arrin vlerën prej 20 milionë eurove dhe nga projektet e përfshira në marrëveshje theksohet edhe një herë vullneti i Qeverisë Gjermane së bashku me atë të Republikës së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshme të kapaciteteve të organeve institucionale të cilat luajnë rol shumë të rëndësishëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Këto marrëveshje nënshkruhen tani si rrjedhojë e ndryshimit të qasjes së zotimeve të Qeverisë Gjermane, nga niveli i nënshkrimit të memorandumeve, në nivel të nënshkrimit të marrëveshjeve në mes të dy shteteve."
"Marrëveshjet e bashkëpunimit teknik i kemi pranuar në fund të vjeshtës së vitit që shkoi. Kjo është një shenjë e seriozitetit që ka arritur të ngritet niveli i bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona."
"Gjithashtu, presim që shumë shpejtë të përfundojnë procedurat e nevojshme rreth marrëveshjes kornizë që kemi negociuar me Qeverinë Gjermane, që nënkupton se në vitet e ardhshme nuk do të ketë nevojë të nënshkruajmë marrëveshje specifike vit për vit por do të jetë marrëveshja kornizë ajo që do ta drejtoj bashkëpunimin tonë, shtoi Ministri Hoti.
Ndërsa, zëvendës Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Christina Gehlsen, tha se Ne po nënshkruajmë sot marrëveshjet për projektet e bashkëpunimit teknik në shumën prej mbi 20 milionë euro. Në fokus janë vënë sfidat më të rëndësishme për Kosovën me qëllim të ngritjes së një ekonomie private aktive dhe një administrate të përgjegjshme, si dhe arritjes së punësimit të njerëzve.
Marrëveshja për Bashkëpunim Teknik për vitin 2014 kap vlerën prej 7,590,000 euro dhe do të përdoret për financimin e projekteve si: Këshillimi në fushën e reformave juridike; reforma e sistemeve publike financiare; ndërtimi i kapaciteteve në sektorin e arsimimit fillor; mbështetja e punësimit të të rinjve dhe integrimi i tyre në tregun e punës; fondi i studimeve dhe i specialistëve dhe ngritja e shërbimeve të qëndrueshme lokale (menaxhimi i mbeturinave).
Ndërsa, Marrëveshja për Bashkëpunim Teknik për vitin 2015 kap vlerën në total prej 12,500,000 euro dhe do të përdoret për financimin e projekteve si vijon:
Ndërtimi i kapaciteteve në sektorin e arsimimit fillor; mbështetja e punësimit të të rinjve dhe integrimi i tyre në tregun e punës; menaxhimi i tokës, kadastrat; efiçienca energjetike nëpërmjet shfrytëzimit decentral të ngrohjes diellore; ngritja e shërbimeve të qëndrueshme lokale dhe fondi i studimeve dhe i specialistëve.