16 Nëntor 2024

Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje prej 25 milionë eurosh

Prishtinë, 8 shtator - Qeveria e Kosovës në vazhdën e bashkëpunimit financiar të realizuar ndër vite me Qeverinë  e Gjermanisë si partner i rëndësishëm bilateral për asistencë financiare dhe teknike, ka nënshkruar Marrëveshjet për bashkëpunim financiar për vitin 2014.

Marrëveshjet janë nënshrkruar sot nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets.

Marrëveshjet për vitin 2014 përmbajnë kredi dhe grant në shumën prej 25 milionë eurosh. Ndarja është bërë për arsye të trajtimit të ndryshëm që kanë borxhet dhe grantet. Marrëveshja për kredi për vitin 2014 përfshin kredinë nga KfW-ja , për projektin “Mbështetja e sektorit të energjisë VII – Përmirësimi i rrjetit përçues” një hua me kushte të favorshme, me vlerë prej dymbëdhjetë milionë euro (12,000,000.00 euro).

Ndërsa, marrëveshja për grant për vitin 2014 përfshin projektet për financim nga Qeveria Federale e Republikës së Gjermanisë, që implementohet nga KfW-ja, në total prej 13,000,000.00 euro (trembëdhjetë milionë euro) që përfshin projektet: “Mbështetja e sektorit të energjisë III – Përmirësimi i sistemeve të ngrohjes komunale“(shtesë), deri në 4,000,000.00 euro (katër milionë euro)”, “Shkarkimi i ujërave të zeza në jug-perëndim, faza e katërt“, deri në 8,000,000.00 euro (tetë milionë euro)”, si dhe “Shkarkimi i ujërave të zeza në jug-perëndim, faza e katërt (masa shoqëruese)“, deri në 1,000,000.00 euro (një milionë euro)”.

Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se “Gjatë vizitës  të Ministrit Gjerman për Zhvillim z. Müller, neve jemi dakorduar në biseda ndërqeveritare edhe për vazhdimin e bashkëpunimit gjatë vitit 2015. Marrëveshja e vitit 2015 do të kap shumën mbi 17 milionë euro në asistencë financiare, respektivisht grant që do të shkoj në sektorin e energjisë dhe ujërave”.

“Për më tepër unë kam autorizuar ekipin që paralelisht me marrëveshjet e financimit të vitit 2014 dhe 2015 të punojnë me Ambasadën Gjermane për të finalizuar marrëveshjen kornizë. Shfrytëzoj rastin që të falënderoj Ambasadoren dhe stafin e saj për bashkëpunimin e ofruar gjatë të gjitha këtyre proceseve”, ka shtuar Hoti.

Ndërsa, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets, tha se “Përmes këtyre projekteve Gjermania dëshiron të përkrahë Republikën e Kosovës, të ofrojë perspektivë për qytetarët e saj në vendin e tyre. Furnizimi i rregullt me ujë dhe furnizimi i pandërprerë me ngrohje gjatë dimrit mund të jenë arsye të rëndësishme, posaçërisht për shtresën e varfër të popullatës, që të qëndrojnë këtu”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)