Kosova dhe Austria nënshkruajnë marrëveshje prej 5.3 milionë euro
“Ministria e Financave, çdo ditë është duke përmbushur më shumë rolin e saj në sigurimin e mjeteve për financim të projekteve me rëndësi për qytetarët e Kosovës. Si vend në zhvillim, nevojat për investime janë të mëdha, dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë, po financojmë projekte jo vetëm të nivelit qendror, por edhe të nivelit lokal”, tha ministri i Financave Bedri Hamza, sot në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në komunën e Podujevës, ndërmjet Qeverisë së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë e përfaqësuar nga Unicredit Bank Austria AG.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder. Ndërsa, morën pjesë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë Gernot Pfandler dhe kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu.
Ministri Bedri Hamza duke falënderuar Qeverinë e Austrisë për bashkëpunimin e ofruar, tha se “ shpresojmë se edhe në të ardhmen veç do të intensifikojmë këtë bashkëpunim dhe theksoi se në vazhdën e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer, sot, së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë Austriake, kemi nënshkruar një marrëveshje kredie për financim të projektit për vendosjen e rrjetit të kanalizimit për Komunën e Podujevës”.
Sipas Ministrit Hamza, Marrëveshje të tilla pritet të nënshkruhen edhe për Komunën e Ferizajt, Graçanicës, Shtimes dhe Istogut, të cilat veç janë në proces. Ai bëri të ditur se këto marrëveshje nënshkruhen, pas ratifikimit të amandamentimit të marrëveshjes për bashkëpunim financiar mes dy Qeverive në vitin 2017.
“Pasi që me ligjet vendore Komunat në fjalë nuk i kanë plotësuar kushtet për të marrë kredi, niveli qendror përmes Ministrisë së Financave ka marrë përsipër këtë obligim për kthimin e këtyre kredive”, shtoi Ministri Hamza.
Ai gjithashtu bëri të ditur se “Marrëveshja në fjalë ka vlerën 5.349 milionë euro dhe ofrohet me kushte të buta nga Qeveria Austriake, që në treg njihen si kredi me normë interesi më të ulët se tregu dhe grejs periudhë më të gjatë se ajo që ofrohet në treg.
“Në praktikë, për këtë marrëveshje nuk paguhet interes, mirëpo paguhen vetëm disa tarifa simbolike të garantimit të kredisë dhe zotimit të mjeteve. Në total po flasim për një vlerë prej 1.6 % që do të paguhet në baza vjetore për huazimin e këtyre mjeteve. Grejs periudha është 4.5 vite dhe amortizimi bëhet në 23 këste për 11.5 vite” shtoi Ministri Hamza.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pflander duke vlerësuar lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje, theksoi se pret që gjithçka të shkojë sipas planeve dhe sipas rregullave. Sipas tij Marrëveshja për huanë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë është në procedurë tash e disa vite, ku tani po zbatohen dy komponentët e saj kryesore.
“Sot po futemi në fazën e dytë me projektin që po fillon në Podujevë dhe pastaj edhe me komunat tjera të parapara me marrëveshjen kornizë. Për ne kjo është një marrëveshje e rëndësishme midis dy vendeve dhe shpresoj që do të kemi implementim të shpejtë të projekteve që janë në punë e sipër. Dhe ne do të shohim edhe marrëveshjet e tjera që mund t'i arrijmë. Por tani me këto skema që kanë mjaft avantazhe ne besojmë se do të zhvillojmë jo vetëm zhvillimin e infrastrukturës por edhe zhvillimin ekonomik", shtoi Ambasadori austriak Pflander.
Ndërsa, drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG, Sabina Eder, theksoi se UniCredit Bank Austria AG është krenare që është pjesë e kësaj nisme, sepse në njëfarë mënyre i sjellë më afër Kosovën dhe Austrinë.
"Kjo është marrëveshja e parë, mirëpo jo e fundit, pasi që pritet të vazhdohet edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve për komunat të tjera. Banka e Austrisë është krenare që është pjesë e kësaj nisme, sepse në njëfarë mënyre i sjellë më afër Kosovën dhe Austrinë", tha ajo.
Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu e vlerësoj lartë ndihmën dhe bashkëpunimin e Qeverisë dhe popullit austriak për ta realizuar këtë projekt dhe gjithashtu kontributin e Ministrit Hamza për të finalizuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe theksoi se ky projekt është në të mirë të qytetarëve të komunës së Podujevës, ku do të krijohen kushtet për trajtim më të mirë të ujërave të zeza.