Kosova arrin marrëveshjen Stand-By me FMN-në
Prishtinë, 18 mars - Zëvendësministri i Financave Ramadan Avdiu së bashku me udhëheqësin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovë, Johannes Wiegand, dhe me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, kanë mbajtur sot konferencë për media me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të FMN-së në Kosovë, i cili mision ka qëndruar në Kosovë nga 5 marsi deri më sot.
Në këtë konferencë, Zëvendësministri Avdiu ka thënë se qëllimi i vizitës së Misionit të FMN-së ka qenë Kompletimi i Rishikimit të Tretë të Marrëveshjes Stand-by, ku gjatë këtyre dy javëve të vizitës së misionit ka pasur një varg takimesh me të gjitha institucionet e vendit, që në njërën apo formën tjetër janë përgjegjëse për implementimin e marrëveshjes me FMN-në.
"Dhe duke u bazuar në këto takime si dhe në informatat që ne kemi dërguar më herët tek FMN-ja, mund të ju informoj se pothuaj të gjitha kriteret e performancës për fund të dhjetorit të vitit të kaluar si dhe kriteret strukturore, janë plotësuar me sukses nga ana jonë."
Pas implementimit të deritanishëm të marrëveshjes, që pothuaj tani bëhet një vit që nga aprovimi i saj nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, ne po ashtu jemi pajtuar për një numër të veprimeve dhe politikave, gjë që mundësojnë kompletimin me sukses të Rishikimit të tretë të Marrëveshjes, tha Avdiu.
Zëvendësministri Ramadan Avdiu theksoi se gjatë këtyre dy javëve, një çështje që ka zënë vend shumë në diskutimet me FMN ishte edhe adoptimi i Rregullës Fiskale që do të bëjë të mundur që edhe në të ardhmen, Qeveria të vazhdoj të mbaj një disiplinë fiskale, si përkrahëse e rritjes ekonomike.
"Ne jemi pajtuar në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me këtë Rregull Fiskale dhe jemi pajtuar që Legjislacionin ta dërgojmë për aprovim në Qeveri dhe më pas ta procedojmë për Parlament, brenda këtij muaji. Më lejoni që të ju rikujtoj se si rrjedhojë e politikave dhe reformave të suksesshme që Qeveria jonë ka ndërmarrë gjatë vitit të kaluar, është bërë i mundur disbursimi i pjesës më të madhe të Kredisë së FMN-së, që në total ishte 94 milion Euro, ka vlerësuar Avdiu.
Ai gjithashtu shprehi falënderimet për Misionin e FMN-së e në veçanti për zotin Johannes Wiegand, si udhëheqës i ekipit, për bashkëpunimin dhe profesionalizimin e treguar gjatë të gjitha diskutimeve.
Ndërkaq, përfaqësuesi i FMN-së Johannes Wiegand, duke shprehur mirënjohjen e misionit ndaj autoriteteve kosovare për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer, diskutimet e hapura dhe të sinqerta, dhe mikpritjen e ngrohtë, tha se misioni ka arritur marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet për një pako të politikave që synon kompletimin e rishikimit të tretë të SBA.
"Shqyrtimi nga Bordi Ekzekutiv i Bordit të FMN-së pritet të bëhet nga fundi i muajit prill. Kompletimi i këtij rishikimi do ti mundësojë Kosovës tërheqjen e shumës prej SDR 4.251 milion (rreth 5 milion). Megjithatë, autoritetet e Kosovës synojnë ta trajtojnë marrëveshjen si një masë të kujdesit paraprak në vitin 2013, prandaj nuk planifikojnë tërheqjen e kësaj shume, ka pohuar Wiegand.
Politikat makroekonomike dhe financiare janë gjerësisht në rrugë të duhur. Pjesa më e madhe e kritereve kuantitative të performancës për fundin e dhjetorit dhe kriteret e zbatueshme strukturore janë plotësuar", ka theksuar ai.
Objektivi për bilancin primar fiskal sipas tij nuk është arritur për një shumë krejt të vogël (më pak se 1 milion euro), pasi që mungesa në mbledhjen e të hyrave që lidhet me rritjen më të ulët nga sa është pritur, nuk është kompensuar tërësisht nga kufizimi i shpenzimeve. Zhvillimet fiskale në pjesën e parë të vitit 2013 kanë qenë në linjë me rrugën e synuar të ekzekutimit të buxhetit."
"Duke parë përpara, autoritetet dhe misioni kanë finalizuar amendamentet ligjore në kornizën e bazuar në rregulla, që pritet të dorëzohet në Kuvend para fundit të këtij muaji, dhe do të shërbente si bazë për politikat fiskale nga viti 2014, ka shtuar ai.
Wiegand, gjithashtu ka thënë se ekonomia e Kosovës ka shënuar ngadalësim, në linjë me zhvillimet në Evropë, por vazhdon të tregojë nivele të rritjes që janë mbi ato të shumicës së vendeve fqinje.
Rritja pritet të mbetet e lehtë por elastike edhe në vitin 2013. Inflacioni mbetet i përmbajtur. Sistemi bankar vazhdon të jetë stabil dhe likuid, përkundër një rritjeje të caktuar të kredive të këqija.