Kosova arrin marrëveshje ekonomike me Emiratet e Bashkuara Arabe
Dubai, 26 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga arriti Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke i hapur rrugë investimeve konkrete të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë.
Marrëveshja u nënshkrua sot në Dubai në prani të Presidentes Jahjaga, në nivel të ministrave, nga Ministri për Financa i Republikës së Kosovës, zotëri Avdullah Hoti dhe Ministri i Ekonomisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, zotëri Sultan bin Saeed Al Mansouri.
Arritja e kësaj marrëveshjeje vjen pas një sërë vizitash bilaterale në Kosovë dhe Emirate të Bashkuara Arabe, dhe takimeve që Presidentja Jahjaga ka pasur me Princin e Kurorës, Sheikh Muhammed bin Zayed al Nahyan, për të identifikuar plane dhe projekte konkrete për investime.
Sipas kësaj marrëveshjeje, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të përfshijë, por nuk do të kufizohet, në fushën e tregtisë, industrisë, bujqësisë, transporteve, telekomunikacionit, turizmit dhe investimeve, duke përfshirë financimin e fushave të mësipërme.