Kosova anëtarësohet në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës
Prishtinë, 14 qershor - Sot në Maltë, në takimin e Bordit të Drejtorëve të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, u votua që të pranohet aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësi të plotë të Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar që është degë autonome e Këshillit të Evropës.
Bordi i drejtorëve të kësaj Banke përbëhet nga ambasadorët e shteteve evropiane pranë Këshillit të Evropës.
Kjo Bankë është krijuar me 1956 dhe ka për agjendë reformat dhe përkrahjet sociale shtresave më të rrezikuara në shtetet e ndryshme evropiane. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Bankë si aksionare e plotë sjell edhe përafrimin më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës me Këshillin e Evropës.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës është rezultat i punës së gjatë të bërë nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe interaksionit të rritur që kemi pasur me Këshillin e Evropës në muajt e fundit, shpesh edhe pa zhurmë të madhe mediale.
"Grupi punues i Ministrisë së Jashtme i udhëhequr nga zëvendësministri Petrit Selimi kanë bërë punë të shkëlqyer dhe jemi krenar që pas anëtarësisë në BERZH, kjo anëtarësi e Kosovës është lajmi më i rëndësishëm në fushën e bashkëpunimit shumëpalësh të Republikës së Kosovës.
Ministri Hoxhaj po ashtu shtoi se anëtarësimi në Bankë duhet të shihet në vazhdën e valës së njohjeve nga Tanzania, Jemeni dhe Guyana e që po pasojnë pas Marrëveshjes për Normalizim që ka mbyllur kapitullin e dilemave rreth Kosovës tek shumë vende dhe shumë organizata.
"U jemi mirënjohës aksionarëve të mëdhenj të bankës si Gjermania, Turqia, Franca dhe Italia për sponsorizim të kërkesës së Kosovës, por edhe shumë shteteve tjera anëtare që me shumicë absolute kanë votuar pro Kosovës dhe anëtarësisë së saj në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës
Rezoluta e Bordit të Bankës është përkrahur nga shumica e madhe e shteteve anëtare të Bankës e cila është e vendosur në Paris, me staf prej 145 bankierësh dhe ka rejting të lartë të kreditit.
Shtetet e Ballkanit janë përfituese të mëdha të projekteve të ndryshme në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, ndërtimit të banesave për shtresat e rrezikuara, ndihmë refugjatëve dhe temat tjera sociale.
Pritet që Kosova, në bazë të analizave komparative me shtete tjera, të përfitojë deri në 40 milionë euro në vjet nga mundësitë kredituese dhe garantuese të kësaj banke.