Kosova anëtarësohet në Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim
Prishtinë, 16 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se sot Kosova u bë anëtare fuqiplotë dhe e barabartë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
"Ky lajm sapo mu transmetua në një bidsedë telefonike që kam zhvilluar me Sir Suma Chakrabarti, president i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim", ka theksuar Thaëi.
Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në BERZH sipas tij është një lajm i shkëlqyer dhe shumë domethënës për Kosovën për disa arsye. Më lejoni të ju shtelloj procesin dhe benefitet që shteti ynë do të ketë tash e tutje me këtë anëtarësi.
Thaçi ka thënë se kjo bankë e themeluar për ti ndihmuar shtetet në tranzicion dhe që ka kapital vjetor investues prej gadi 10 miliardë euro, është pronë e 63 shteteve dhe dy institucioneve. Pra 63 shtete kanë vota, ndërsa një votë e kanë edhe BEja dhe Banka Investive e BEsë.
Por, gati 30 shtete anëtare të kësaj banke nuk e kanë njohur Kosovën si shtet prandaj lobimi i qeverisë i gjatë ishte që të fitojmë dy të tretat e votave për Republikën e Kosovës, që edhe ne të jemi anëtare e kësaj organizate që investon në shumë fusha të rëndësishme për Kosovën.
"Tash e dy vite së bashku me partnerët tanë kemi zhvilluar një betejë të jashtzakonshme që Republika e Kosovës të jetë anëtare fuqiplotë dhe përfituese e investimeve të BERZH. Tani ja arritëm. Është hera e parë që për anëtarësi të një shteti është votuar dhe nuk është përdorur çelësi koncensual", ka thënë ai.
Kryeministri ka theksuar se për Kosovën kanë votuar një shumicë e madhe e anëtarëve dhe me këtë rast i falënderoj qeveritë e shteteve që kanë votuar për Republikën e Kosovës për dhe besimin që kanë shfaqur ndaj popullit dhe Qeverisë së Kosovës. Anëtarësia në BERZH është edhe një projektim zyrtar i besimit të demokracinë kosovare.
Benefiti i dytë që do ta ketë Kosova me anëtarësimin në BERZH sipas tij është ai ekonomik pasi që kjo bankë është investuese e madhe në shtete që përjetojnë tranzicion dhe investon në një gamë të gjërë.
Bizneset private, bankat lokale, projektet publiko-private, por edhe komunat kanë të drejtë aplikimi për fonde dhe kredi të favorshme dhe përqindje të ulta interesi.
Kosova është e interesuar të ketë investime në tre fusha me rëndësi nacionale: bujqësi, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, si dhe në sektorin e energjetikës, përkatësisht projektet e Termocentralit Kosova e Re dhe Hidrocentralit të Zhurit.
"Inkurajoj bizneset kosovare që të zhvillojnë projekte të mira dhe të qëndrueshme dhe të përdorin anëtarësinë për rritjen e biznesit dhe vendeve të punës", ka theksuar Thaçi.
Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga përshëndet vendimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për pranimin e Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar.
"Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në BERZH është një hap i shumëpritur dhe i rëndësishëm, dhe krahas anëtarësimit të vendit në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, paraqet ndër momentet më të rëndësishme në konsolidimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për reformën tonë të brendshme drejt zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut të lirë", ka theksuar Jahjaga.
Ajo ka shtuar se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në BERZH do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik, zbatimin e reformave e standardeve evropiane dhe zhvillimin e infrastrukturës përmes mbështetjes së zhvillimit të sektorit privat, mobilizimit të kapitalit të jashtëm dhe përmirësimit të ambientit për investime.
Pritet që Kosova që në vitet e para të anëtarësisë të përfitojë investime me dhjetëra miliona euro, me kushte shumë të volitshme dhe në projekte konkrete.