08 Nëntor 2024

KOSID mbështet Murat Mehmeti

Prishtinë, 25 nëntor - Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) mbështetë qytetarin dhe shërbyesin civil, Murat Mehmeti, në luftën e tij të drejtë kundër korrupsionit.

Në emisionin  “Jeta në Kosovë” ne të gjithë pamë rrëfimin e Mehmeti dhe përpjekjen e tij në luftimin e korrupsionit brenda Administratës Tatimore të Kosovës. Me anë të këtij reagimi, ne shprehim solidarizimin tonë me të dhe me çdo kallëxues tjetër të korrupsionit!

Ne si organizata të shoqërisë civile kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të preokupuara me nivelin e korrupsionit në Kosovë. Për ta luftuar me sukses këtë fenomen, jemi të bindur që kemi nevojë për njerëz që gjenden brenda sistemit, të cilët janë të gatshëm ta vendosin interesin publik para atij personal.

Murat Mehmeti është prej njerëzve që s’ia dolën ta dekurajojnë, s’ia dolën ta ndalin e as s’ia dolën ta heshtin. Zëri i tij ka nevojë të dëgjohet, të përcillet e të mbrohet! 

Lufta kundër korrupsionit shfaqë arritjen më konkrete të misionit të shërbyesve civil, të organizatave joqeveritare dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Murat Mehmeti po mbron parimin e parë të përshkruar në Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, atë të mbrojtjes së ligjshmërisë. Për këtë, i ftojmë institucionet e sundimit të së drejtës që këtë aferë dhjetëra milionëshe ta trajtojnë me prioritet, që në krye të luftimit të saj t’i vënë prokurorët më të zotë dhe që lëndën ta trajtojnë deri në fund. 

Në dy episode të emisionit “Jeta në Kosovë” shihet qartazi se si shteti ka dështuar ta mbështesë punonjësin e vet në luftimin e korrupsionit; se si korrupsioni nuk zgjedhë viktima dhe se sa e kushtueshme është lufta kundër tij. Megjithatë, sot ne qëndrojmë me Muratin dhe të gjithë të tjerët që angazhohen për të mirën publike, për një shtet ku përpjekja për ligjshmëri shpërblehet, ku privatja mbrohet nga shteti, e publikja nga të gjithë. 

KOSID i bën thirrje organeve të sundimit të ligjit që të bëjnë gjithçka që duhet për ta mbrojtur kallëxuesin Murat Mehmeti dhe ta vënë drejtësinë në vend për aferën korruptive në ATK. Dërgimi i këtij rasti deri në fund do të thotë angazhim për ta realizuar njërën prej aspiratave të faqes së parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, atë të krijimit të “një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do t’i garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.” Në këtë rrugë, secili prej nesh që gjen kurajën për të folur, meriton t’i ketë mbrapa të gjithë në mbrojtje të tij! 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)