Korrupsioni vazhdon të klasifikohet si pengesë e zhvillimit te bizneseve
Prishtinë, 25 mars - Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Oda Ekonomike e Kosovës mbajti një konferencë për media, ku prezantuan vlerësimet e tyre mbi gjendjen e mjedisit të biznesit dhe sfidat që bizneset ballafaqohen në Kosovë.
Zyrtarë të Grupit për Studime Politike dhe Juridike vlerësuan se pavarësisht reformave të ndërmarra nga Qeveria, mjedisi biznesor në Kosovë vazhdon të jetë i pafavorshëm për bizneset vendore dhe shihet si i rrezikshëm për investimet e huaja.
Përkundër deklarimeve të vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës që Kosova ka bërë progres të dukshëm në përmirësimin e kushteve të bizneseve dhe procedurave burokratike me të cilat ata ballafaqohen, përfaqësuesi i Grupit për Studime Juridike dhe Politike dhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Safet Gërxhaliu, shprehën shqetësimet dhe kritikat e tyre ndaj politikave të gabuara në këtë drejtim.
Ndër të tjera, Gërxhaliu shprehu shqetësimin e tij, ku si problem akut, theksoi të jetë, mos marrja në konsideratë të rekomandimeve të OEK-ut për zgjidhjen e problemeve të bizneseve të cilat nga viti në vit po shtohen, shqetësimet rreth rënies së numrit të investimeve të huaja dhe rekomandoi Qeverinë e Kosovës të orientohet në prodhimtarinë vendore dhe përmes politikave adekuate ekonomike të mbështesë sektorin privat dhe të kontribuoj në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
"Problemet aktuale mbeten sfidë derisa nuk jetësohet sundimi i rendit dhe ligjit në vendin tonë", ka përfunduar Gërxhaliu.
Gërxhaliu kërkoi që autoritetet të fokusohen më shumë në forcimin e rendit dhe ligjit, që sipas tij, është faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm.
Derisa të kemi këtë trend të sundimit të rendit dhe ligjit, është utopike të mendohet në investitorë të huaj, apo në tërheqjen e investimeve të diasporës. Derisa nuk do të kemi sundim të rendit dhe ligjit, cili do të jetë modaliteti për përmirësimin e imazhit dhe nëse nuk kemi përmirësim të imazhit, si mund të paramendohet zhvillimi ekonomik, përmes absorbimit të këtyre indikatorëve, tha Gërxhaliu
Reformat e bëra në mjedisin biznesor në Kosovë, janë reflektuar në përmirësimin e rangimit të Kosovës në raportin e të bërit biznes të Bankës Botërore. Por, gjendja ende mbetet e rëndë dhe institucionet nuk po arrijnë të krijojnë politika të qëndrueshme dhe efektive për adresimin e sfidave.
Arbëresha Loxha, zyrtare e Grupit për Studime Politike dhe Juridike, tha se korrupsioni po dëmton sektorin publik, por edhe atë privat, si dhe po dekurajon investitorët e huaj, sidomos në fushën e prokurimit publik.
Prokurimi publik në Kosovë është një treg shumë i madh, i cili vlerësohet të jetë rreth 800 milionë euro, apo afër 14 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2011. Kjo bën që ndërmarrjet shumë lehtë të bien pre e presioneve politike dhe të politizohen, theksoi Loxha.
Një nga të gjeturat kryesore të analizës është se përkundër reformave, institucionet e Kosovës vazhdojnë të mos kenë qasje dhe politika të qëndrueshme dhe efektive për të adresuar këto sfida në mënyrë më pragmatike;
Po ashtu si rezultat, bizneset vazhdojnë të përballen ende me probleme si korrupsioni, joformaliteti dhe barra rregullative, si sfidat më të përhapura.
"Korrupsioni vazhdon të klasifikohet si pengesë e madhe në zhvillimin e bizneseve në Kosovë si dhe dërgon sinjale negative për investitorët e huaj", thuhet në analizë.
Po ashtu edhe tenderimi publik paraqet një proces kyç ku ndërmarrjet bien lehtësisht nën kontrollin partiak dhe politizohen.
Kjo si rezultat i tregut të madh te prokurimit publik dhe varësisë direkte nga tenderët publikë të një numri të madh të ndërmarrjeve në Kosove për shkak të mosefikasitetit dhe mungesës së mekanizmave të tregut për të krijuar mundësi për rritjen e sektorit privat.